fbpx

Letër zonjës Osmani

Shkruan: Dimal Basha

Letër zonjës Osmani

E nderuara zonja Osmani. Në vitin 2014 kam pas shkruar për padrejtësitë ndaj teje, atëherë kur padrejtësisht jeni pas anashkaluar nga partia juaj. Sot i gëzohem ardhjes suaj për arsyen se do të jesh model për shumë vajza, por edhe më shumë për faktin që ju gjindeni aty për shkak të punës suaj, dhe jo gjinisë që i takoni. Sukses i dyfishtë ky.

Ju e dini se kanë mbetur vetëm dy ditë deri në koalicionin e madh të shpresës me Lëvizjen Vetëvendosje!, që sot e deklaroni ju, mirëpo e dëshiron e gjithë Kosova. Megjithatë, të gjithë po kuptojmë që ngërçi si duket mund të jetë ndarja e posteve. Unë e di se keni njerëz afër që medeomos kërkojnë LDK të merr Kryeministrinë, mirëpo unë do të ju ofroj  disa argumente që shpresoj të ju bindin ndryshe.

E para, deri sot Lëviza Vetëvendosje! është partia e vetme që s’ka pranu asnjëherë të jetë në koalicion me PDK-në. Deri sot, vetëm Vetëvendosje! s’ka qenë në pushtet, edhe pse ka qenë dhe mbetet partia më e madhe në vend. Në anën tjetër, LDK ka qenë në plot mandate bashkë me PDK-në dhe rrjedhimisht e bart ni koleksion mëkatesh për greminën ku vendi gjindet sot. Prandaj ky është argumenti i parë që Albini të filloj punën si  Kryeministër sot, e ju pas katër viteve.

E dyta, strategjia që ta ofrojnë njerëzit në LDK është strategji “tuxharllëku” që e kanë përdorë me Hashim Thaçin dikur, ku siç e dini, LDK edhe pse ka qenë humbëse në zgjedhje – pa meritë ka marrë postin e Kryeministrit si dhuratë nga PDK-ja, vetëm për të dorëzuar Thaçit postin e Presidentit, diçka që ju keni kundërshtu stoikisht.

Kjo strategji i thotë Vetëvendosjes të kam zë në  “bishtin me derë” sepse tuxharët e LDK-se e dinë që Vetëvendosje ka parime dhe asnjëherë nuk bënë koalicion me AAK-në (ku janë bashkangjit virusi i dikurshëm i Lëvizjes), por as me PDK-në (për dëmin që i ka shkaktu vendit me hajnitë dhe shkatërrimet në krejt këto vite). Dhe rrjedhimisht LDK e di që ju si parti jeni partnerja e vetme, dhe tani luajnë strategji që shohin të përfitojnë për vete, por jo edhe për vendin.

Zonja Osmani, LDK ka plot “tuxhar” brenda që gabimisht po të këshillojnë  që “o duhet të marrim Kryeministrin o nuk shkojmë bashkë”, dhe e bëjnë këtë që të “bindin” ty se nuk ka koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje! vetëm për të bindur që të kthehesh në koalicion me partitë tjera, aty ku këta e kanë “tallin.”

Këta me çdo kusht do të mundohen të shtrojnë kushte dhe të të bindin që bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje! është i pamundur, vetëm e vetëm që të çojnë në koalicion me ata që e ndajnë “tallin”. Mos u habit nëse nesër partia ta jep Ramushin si solucion, e pse jo edhe me PDK-në. Zonja Osmani, e di që sot thua “kurrë me PDK-në,” mirëpo e dimë që edhe z. Mustafa dikur ka pas thënë jo, por e dimë si ka përfundu ai skenarë, pasojat e të cilit koalicion po i vuajmë edhe sot.

Prandaj mendoj që për t’i ikur influencës së “tuxharëve” dhe për të betonizuar pozitën tuaj në parti, unë mendoj se ju duhet kohë dhe partner të sinqertë, dhe të dyja këto i arrin duke thelluar bashkëpunimin dhe duke lejuar z. Kurti mandatar për katër vitet e para.

Tjetra, ju e dini se edhe sot LDK besoj ka shumë matrapazë brenda, dhe nëse nesër futen nëpër dikastere me direktiva të partisë, ju do ta keni shumë problem t’i luftoni, derisa Albini e ka guximin t’i luftoj dhe kjo është ndihmë për juve. Zonja Osmani, besoj e dini që mandati i parë ka me qenë super i vështirë, qe na duhet dikush me guximin e Albinit, i cili gëzon edhe përkrahjen e plotë të partisë. Kjo i jep z. Kurti mundësinë e pakompromis në betejën e madhe, që jam i bindur që kjo pastaj ju ndihmon edhe juve në mandatin e dytë, ku do t’i keni udhët hapë dhe duart më të lira për të operuar. Pra betejën e parë të madhe duhet ta udhëheq Albini, dhe kjo tash i duhet Kosoves dhe ju konvenon edhe juve në mandatin e dytë znj. Osmani.

Megjithatë, nëse nuk e merrni timonin dhe tuxharët e LDK-së vazhdojnë të luajnë lojën e pistë, ju prap do të dilni humbëse. Vetëvendosje është në një hov ku çdo ditë ka prurje të fuqishme, dhe me këtë stad unë publikisht i bëjë thirrje Albinit që me vazhdu me prurje dhe nëse juve ju bindin të mos pranoni të lëshoni rrugë, që LV! të shkoj e vetme në zgjedhje.

E di që ju thonë se jeni e para, unë ju premtoj që jo që LDK do të humb. Janë të njëjtit “tyxharë” që kanë udhëhequr kur LDK doli partia e tretë në vend.” Kurse Lëvizja bindur del me mbi 50%, dhe kjo sepse edhe elektorati i LDK-së  do të ju ndëshkoj më në fund sepse edhe ata tanimë e dinë që nuk është hera e parë që LDK po anashkalon vullnetin e votuesve te vet me tuxharllëke dhe të gjithë do të votojnë Lëvizjen.

Prandaj, deri sot LDK nuk ka qenë racionale dhe është momenti fundit që ju personalisht të krijoni një partneritet të sinqertë dhe të ktheni arsyen në atë parti që dikur e kishte z. Rugova. Çfardo këshille ndryshe do ju çoj në krahët e atyre që janë përgjegjës për katrahurën ku jemi sot. Kurse me z. Kurti keni një partner të sinqertë ku e siguroni vazhdimësinë e një qeverisje të mire për 8 vite, sepse ky është afat optimal për të kthyer shpresat tek rinia dhe për të sajuar dëmet që janë bërë gjithë këto vite.

Nëse “tuxharëve” ju vie rëndë për vendimin tuaj dhe dojnë ta kenë më të lehtë votimin e Albinit Kryeministër, vetëm kujtoja kohën kur e kanë votuar Thaçin President dhe do ta kenë shumë më të lehtë, besoj në vend ju kalon dhembja.