“Let’s Do It” nis pastrimin e deponisë katër hektarësh në Banjë të Istogut

 “Let’s Do It” nis pastrimin e deponisë katër hektarësh në Banjë të Istogut

Ekipi i “Let’s Do It Kosova”, me iniciativë të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekë Berisha, ka nisur pastrimin e deponisë katër hektarësh në Banje të Istogut.

Kjo deponi, pastrimi i së cilës do të zgjasë 10 ditë pune, pas pastrimit do të shndërrohet në zonë të gjelbëruar.

Deponia, e cila gjendej vetëm pak metra larg Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Trepça”, paraqiste rrezik për shkak të materialeve interte, azbestit e të tjera, të cilat për 20 vite pa ndërprerë ishin hedhur aty.

Aksioni i cili nisi sot me iniciativë të deputetit Berisha, është përkrahur edhe nga Komuna e Istogut, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Infrastrukturës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj ka falënderuar deputetin Berisha për këtë iniciativë, derisa u ka bërë thirrje edhe deputetëve të tjerë që t’u bashkohen aksioneve të tilla.

“Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arrit me iniciativën e deputetit Berisha ta koordinojmë organizimin e këtij aktiviteti sot këtu. Në emër të këtyre aktivistëve e falënderoj deputetin për angazhimin e tij dhe ju bëjë apel deputetëve të tjerë që ta marrin këtë model, sepse fundi i fundit ky është roli i tyre: që të jenë zëri i nevojave të qytetarëve. Këto nevoja janë të shumta në vendin tonë. Ndotja në Kosovë vazhdon të jetë problematik. Vazhdojmë të kemi deponi të shumta në Kosovë si kjo këtu, diku më të mëdha e diku më të vogla, por fatkeqësisht mungon angazhimi i duhur institucional që ne t’i shohim të pastra këto hapësira”, ka thënë Hasanaj.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekë Berisha ka thënë se pastrimi i kësaj deponi ka qenë kërkesë e banorëve qe një kohë të gjatë.

“Kjo ka qenë iniciativë e jonë. Kërkesë e qytetarëve për një kohë të gjatë. Para dy jave kemi bërë kërkesë, të cilës i janë përgjigj pozitivisht Ministria e Ambientit, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Mbrojtjes meqë këtu do të vinë edhe Ushtria e Kosovës, sepse siç tha Luani do të ketë punë 10 ditë. Por, jam shumë i lumtur që më në fund po plotësohet kërkesa e qytetarëve dhe kjo deponi, më e madhja në Dukagjin, e ndoshta në tërë Kosovën, po pastrohet. Kjo është shumë pozitive edhe për fëmijët që janë në shkollën këtu afër, sepse deponia kaq e madhe e ka kontaminuar këtë vend qe 20 vite”, ka thënë Berisha.

“Let’s Do It” ju njofton se pastrimi i kësaj deponi do të vazhdojë ditëve në vijim me makineri për shkak të llojit të mbeturinave, për të vazhduar më pas me mbjelljet dhe shndërrimi i kësaj zone katër hektarësh në zonë të gjelbëruar.

Po ashtu, “Let’s Do It” ju njofton se edhe më tej do të vazhdojnë aktivitetet e shumta për pastrimin e Kosovës dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit. Ashtu siç arritëm ta bëjmë prioritet institucional e qytetar çështjen e mjedisit, ashtu do ta arrijmë edhe zgjidhjen e kësaj problematike, andaj i ftojmë edhe qytetarët që të vazhdojnë të jenë pjesë e aktiviteteve tona./ Insajderi.com