Lëvizja e paautorizuar në Kuvend e të akuzuarit për vepra të rënda kriminale

Lëvizja e paautorizuar në Kuvend e të akuzuarit për vepra të rënda kriminale

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, duket të ketë vendosur t’i qëndrojë afër motrës së tij, deputetes Teuta Rugova, e cila po përballet me presion për shkak të përkrahjes së saj ndaj koalicionit PAN.

Ukë Rugova, që është i akuzuar për një rast të madh korrupsioni, është parë në Kuvendin e Kosovës duke ndarë kohën pikërisht me deputetët e koalicionit PAN.

Në disa fotografi të publikuara nga Indeksonline, Rugova shihet në disponim të mirë afër një numri deputetësh të koalicionit PAN, të cilët në mungesë të numrave, janë duke tentuar të bindin deputetë nga partitë e tjera për ta votuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Teuta Rugova besohet se do ta përkrahë Veselin, meqë votoi pro shtyrjes së seancës së Kuvendit me kërkesë të koalicionit PAN.

Ukë Rugova është ftuar në Kuvend si pjesëtar i familjes Rugova, por një gjë e tillë nuk e bën të domosdoshme të shoqërohet me deputetët e Kuvendit të Kosovës në hollin e ndërtesës.

Një ndërhyrje e Rugovës në këtë situatë rikujton kohën kur kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, që konsiderohet si figurë e fuqishme e PDK-së, kishte shkuar në Kuvendin e Kosovës vite më parë në tentim që të bindë deputetët të votonin./Insajderi.com