Vendimi i qeverisë për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, e ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje që të kërkojë interpelancë parlamentare. Ata thonë se heqja e reciprocitetit e dëmton interesin e vendit.
Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar kërkesën për interpelancë në Kuvendin e Kosovës. Kjo kërkesë e tyre vjen pasi që Qeveria Hoti e ka hequr masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Sipas komunikatës së tyre për media, ky hap i qeverisë Hoti është i dëmshëm për subjektivitetin e shtetit të Kosovës.
Në komunikatën e tyre për media, Lëvizja thotë se reciprociteti e definon shtetësinë e Kosovës në raport me Serbinë dhe shtetet tjera, njofton Insajderi.
“Heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”. /Insajderi.com