Lëvizja Vetëvendosje kundër tërheqjes së 30 për qindëshit nga Trusti

Lëvizja Vetëvendosje kundër tërheqjes së 30 për qindëshit nga Trusti

Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë iniciativën ligjore të opozitës për ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se do ta përkrahin tërheqjen e 30 për qindëshit.

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare, kur ata përfundojnë kontributin e tyre për fondin pensional”, tha ajo.

Ndërsa shtoi do të diskutojnë për modalitete tjera.

“Ne do të diskutojmë modalitete tjera. Kemi pasur një pako enorme të ndihmës të rimëkëmbjes ekonomike, nga qershori i kaluar, dhe këtë vit janë shtuar, siç është rasti në mbështetjen e fëmijëve, lehonave. Ballafaqohemi me një ekonomi që është shumë fragjile. Fokusi mbetet në mbështetjen e ndërmarrjeve prodhuese”, u shpreh Kusari-Lila.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së

Më nëntë mars, deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

“Po me nëntë mars e kam dorëzuar projektligjin për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind, kjo është një kërkesë nga një numër i madh i qytetarëve”, kishte deklaruar Haxhiu për Shqip.com.

Poashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte deklaruar se e mbështet iniciativën e PDK-së.

“Ka qenë edhe propozim i mëhershëm i AAK-së. AAK dhe deputetët kanë kërkuar bashkë me kryetarin Ramush Haradinaj që për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së procedimit të Ligjit të pagave, të ua lehtësojmë sado pak qytetarëve jetesën në vend”, ka thënë për Shqip.com, deputeti Pal Lekaj.

Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale, aplikim ky që filloi nga 11 dhjetori i vitit 2020 dhe që mbaroi më 06 prill të këtij viti.

Për katër muaj sa zgjati aplikimi për tërheqje të 10 për qind të shumës së kursyer nga Fondi Pensional nga qytetarët, vlera e tërhequr ishte mbi 197 milionë. Fond ky që deri në 120 milionë euro pritet të rimbursohen në afat prej 5 viteve të ardhshme./Insajderi.com