Libani është një shtet, banorët e të cilit nga pjesët tjera arabe dallohen me pasuri të shumta kulturore dhe me shumë antikitete të lashta historike. Ky shtet arab shtrihet në një pjesë gjeopolitike shumë të ndjeshme përgjatë detit Mesdhe. Kufizohet me Izraelin, Sirinë dhe Palestinën. Ndryshe, Libani është i njohur botërisht edhe për luftën e tij të gjatë dhe të përgjakshme qytetare mbi 25 vjeçare (1975-1990), gjurmët e së cilës në shumë pjesë të tij ende dukeshin të freskëta,e të cilat të rikujtonin për një të kaluar të dhimbshme të kësaj shoqërie.
Xhabir Hamiti
Në Liban për herë të parë zbrita në vitin 2002, për të mbrojtur temën e magjistraturës.
Gjatë studimeve në botën arabe, shumë herë kisha dëgjuar gjëra interesante për Libanin, dhe sidomos për multikulturalitetin dhe multikonfesionalitetin e tij, e në veçanti për qytetin e Bejrutit i cili ndër arabët që moti njihej si Parisi i Lindjes së Mesme, mirëpo deri këtë herë asnjëherë nuk më ishte dhënë rasti ta vizitoja edhe fizikisht.
Multikulturaliteti dhe multikonfesionaliteti libanez
Libani është një shtet, banorët e të cilit nga pjesët tjera arabe dallohen me pasuri të shumta kulturore dhe me shumë antikitete të lashta historike. Ky shtet arab shtrihet në një pjesë gjeopolitike shumë të ndjeshme përgjatë detit Mesdhe. Kufizohet me Izraelin, Sirinë dhe Palestinën. Ndryshe, Libani është i njohur botërisht edhe për luftën e tij të gjatë dhe të përgjakshme qytetare mbi 25 vjeçare (1975-1990), gjurmët e së cilës në shumë pjesë të tij ende dukeshin të freskëta,e të cilat të rikujtonin për një të kaluar të dhimbshme të kësaj shoqërie.
Ky vend, në gjirin e vet ka popullatën më multikonfesionale në Lindjen e Mesme. Rreth 50 % të libanezëve janë mysliman të ndarë në dy orientime ; 26% suni dhe 24% shia, kurse mbi 40 % e banorëve tjerë janë të krishterë; ortodoks, katolik dhe protestant, ndërsa rreth 5-6% i takojnë sektit druzë.
Gjatë lëvizjeve të mia në Lindjen e Mesme, në asnjë vend arab nuk kisha parë shoqëri më të fragmatizuar në aspektin e bindjeve fetare sesa në Liban. Një urrejtje e heshtur mbi bazën religjioze dhe atë sektare mbizotëronte thuajse kudo në mesin e kësaj shoqërie të vuajtur shumë nga lufta e gjatë qytetare. Dallimet me të theksuara shquheshin ato mes shiiteve të organizuar nën grupimin e tyre politik ” Hizbu-llah”, dhe sunive të cilët përafërsisht ishin të barabartë me numër të ithtarëve. Shiitët e Libanit vazhdimisht edhe tani mbështeteshin nga alevitët e pushtetit esedian në Siri si dhe nga autoritetet qeveritare të Iranit.
Ende e kam të freskët fotografinë e myftiut libanez Hasan Halidit ( 1921-1989) të ekzekutuar përmes një atentati të përgatitur nga pjesa shiite ekstremiste e Libanit dhe Sirisë.
Ndërhyrja e Sirisë në Liban përmes Hizbull-llahit ka qenë një problem i vazhdueshëm gjatë pesë dekadave të fundit, nga e cila ky vend ende nuk është liruar tërësisht.
Përmes celulave të saj sekrete dhe konspirative Siria çdo herë ka qenë element destabilizues i Libanit. Regjimi esedian poashtu është akuzuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar për organizimin dhe ekzekutimin e atentatit ndaj kryeministrit të suksesshëm libanez Refik el-Hairi, i cili në vitin 2005 në Bejrut, përmes një automjeti bombë të telekomanduar u vra në pabesi. Refiku u masakrua sepse ishte pjesëtar mysliman i drejtimit sunit. Kaq !
Në Liban, siç edhe e përmenda më lartë jeton edhe komuniteti më i madh krishterë në Lindjen e Mesme. Gati në çdo pjesë të këtij vendi mund të shihje kisha dhe qendra tjera fetare të besimit të krishterë. Qyteti Xhuneh ishte njëri nga qytetet e bukura bregdetare, banorët e të cilit në shumicë absolute ishin të besimit krishterë.
Partia e Hizbullahut, e udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm Hasen Nasrallah, i njohur për lidhjet e tij shpirtërore dhe politike me Iranin, nga pjesa dërmuese e shoqërisë libaneze shihej si një ndër faktorët kryesor destabilizues në vend.
Tensionet e konfesioneve fetare në Liban, as tani nuk janë shuar tërësisht
Edhe pas përfundimit të luftës qytetare në vitin 1990, Libani për shkaqe sektare dhe politike. ende vazhdon të jetë arenë e atentateve të herëpashershme vdekjeprurëse
Republika e Libanit ka një sistem interesant qeverisës, të bazuar mbi përkatësitë fetare të komuniteteve që jetojnë në të.
-Kryetari i shtetit duhet të jetë i krishterë-maronit,
-Kryeministri mysliman -sunit,
-Kryetari i parlamentit mysliman -shiit,
-Zëvendës kryeministri dhe zëvendës kryetari i parlamentit duhet të jenë pjesëtar të besimit krishterë maronit.
Kjo duket se ishte formula e vetme e pajtimit mes fraksioneve, dhe si një kusht i vetëm për përfundimin e luftës së gjatë qytetare në këtë vend.
Libani, gjegjësisht kryeqyteti i tij Bejruti, njihet edhe me emrin e Pashko Vas Shkodranit, i cili në këtë pjesë të Lindjes së Mesme ishte guvernator gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, gjegjësisht nga viti 1883 deri në vitin 1892 .
Në Liban, Siri, Egjipt dhe Irak edhe sot mund të takosh numër të madh të familjeve me prejardhje shqiptare, të cilat në botën arabe në përgjithësi si dhe në Turqi njihen me emrin “Arnaut”.
Shkëputur nga kujtimet e mia për Lindjen e Mesme.