Liberalizimi për kosovarët – Franca e thotë fjalën e fundit

Liberalizimi për kosovarët – Franca e thotë fjalën e fundit

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ka thënë se Kosova nuk do të ketë liberalizim pa u forcuar shteti i së drejtës.

“Çështja e liberalizimit të vizave për qëndrim të shkurtër në zonën Shengen bazohet në kritere teknike. Kjo nënkupton përmbushjen e një numri të kushteve, veçanërisht në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër aktiviteteve të krimit të organizuar”.

“Franca vlerëson, krahas shteteve të tjera anëtare, se disa nga këto kushte nuk janë përmbushur plotësisht nga Kosova; mbetet veçanërisht e vëmendshme ndaj zhvillimeve sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër aktiviteteve të krimit të organizuar. Përparime të rëndësishme janë bërë në këtë fushë. Sidoqoftë, zbatimi i vazhdueshëm i reformave nga autoritetet kosovare është thelbësore në mënyrë që ligjet e miratuara për forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, në veçanti, të mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme”, ka thënë ambasadorja për Express, transmeton Insajderi.

“Siç e keni theksuar, Parlamenti Evropian dhe Komisioni evropian kanë dhënë një mendim të favorshëm për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo temë mbetet në shqyrtim nga Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili do ta trajtojë atë kur të përmbushen kushtet”./Insajderi.com