Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi promovoi sot në Londër të Britanisë së Madhe librin autobiografik të tij, të titulluar: “New State, Modern Stateman”, i cili është shkruar nga shkrimtarët britanikë Suzy Jagger dhe Roger Boys.
Në promovimin e këtij libri pati edhe figura ndërkombëtare. Aty ishin të pranishëm ministri për zhvillim nderkombëtar i Britanisë së Madhe, Lord Michael Bates, ish-sekretarit të NATO-s, Lord Georg Robertson dhe historiani Sir Noel Malcolm.
Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi deklaroi se libri nuk është i shkruar vetëm për të, por për Kosovën. “Libri është i imi, kështu që, është edhe i Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Por, disa ditë më parë është publikuar një letër që ish-prokurori i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Geoffrey Nice i dërgoi Qeverisë së Kosovës. Aty, Nice akuzonte ish-kryeministri Hashim Thaçi, tanimë president, se i ka mbetur borxh për punën që kishte bërë në librin e tij autobiografik.
Nice zbuloi se Hashim Thaçi ka paguar me para të shtetit librin autobiografik të shkruar nga dy gazetarët Suzy Jagger dhe Roger Boys.
Në komunikimin e ish-prokurorit dhe avokatit britanik Nice me Qeverinë aktuale të Kosovës, ai shprehet i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.
“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë çështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.
Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka thënë Nice.
Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo çfarë presidenti Thaçi ka dashur ta paraqes si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qënë një libër i porositur dhe i paguar nga ai.
“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati presidentit. “Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyç në punën që është kryer me këta individë”.
Librin autobiografik të presidentit Thaçi e kanë shkruar dy gazetarët britanikë Suzzy Jager dhe Roger Boys.