Propaganda serbe

Librin për të cilin Kosova dërgoi notë proteste në Bruksel, Serbia e boton falas në internet

Librin për të cilin Kosova dërgoi notë proteste në Bruksel, Serbia e boton falas në internet

Librin për të cilin ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, dërgoi notë proteste në Komisionin e Evropian në Bruksel, tani Serbia e ka botuar në formë dixhitale në internet dhe ai mund të lexohet falas, njofton Insajderi.

Bëhet fjalë për librin “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija: The Historical and Spiritual Heartland of the Serbian People”, apo në shqip “”Trashëgimia e Krishterë në Kosovë dhe Metohi: Zemra historike dhe shpirtërore e popullit serb”.

Libër propaganduese u pa në një fotografi të përbashkët të Komisionierit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë ministrja Haradinaj – Stublla, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, kishte thënë se ky është skandal diplomatik, provokim dhe anim.

“Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këtë duhet ta ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme.”, pati shkruar ajo.

Gazeta Online Insajderi kishte pyetur për këtë zhvillim edhe në Komisionin Evropian se si u bë që një përfaqësues i BE-së të pozonte para një libri të tillë propagandues.

Në një përgjigje me shkrim për Insajderi.com, nga kabineti i Varhelyit, Maja Kocijançiq, kishte sqaruar se takimi u mbajt nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE dhe jo në zyrën e Komisionerit.

Takimi u prit nga Presidenti Vuçiq në misionin e Serbisë në BE (pra jo në zyrën e Komisionerit)”, ishte shprehur Kocijançiq.

Ajo tutje shtonte se Komisioneri është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin dhe mban kontakte të rregullta dhe të vazhdueshme me të dyja palët, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe prioritetet e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Ai mban kontakte shumë të rregullta me Kosovën dhe Serbinë, në përputhje me politikën e vendosur të BE-së dhe përparësinë që i japim Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar ajo.

Tani i njëjti libër është botuar në formë dixhitale dhe u është ofruar lexuesve potencialë falas.

Ky libër para se të publikohej në këtë formë falas, mund të gjendej edhe në Amazon në një shumë prej 85 dollarësh./Insajderi.com