Liburin Aliu: Sa më herët që e rrëzojmë Qeverinë Hoti, aq më mirë

Liburin Aliu: Sa më herët që e rrëzojmë Qeverinë Hoti, aq më mirë

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburin Aliu, ka thënë se sa më herët të rrëzohet Qeveria Hoti, aq më mirë për Kosovën, njofton Insajderi.

“Këtë që e pamë në Uashington dhe këtë që e sollën nga Uashingtoni, ashtu si edhe atë se çfarë Serbia mori prej nesh, ky është vetëm fillimi. Do të ketë edhe më tepër”, ka thënë Aliu në KTV.

Ai është pyetur se si synon LVV-ja ta rrëzojë qeverisë, duke i pasur vetëm 31 deputetë.

“E jona është të kërkojmë në vazhdimësi, që të mos vijë puna të ndodh shkarkimi i qeverisë kur bëhet tepër vonë”, ka thënë ai.

I pyetur rreth diskutimeve me AAK-në, ai ka thënë se nuk e di që ka pasur biseda të tilla.

“Por, duhet të mos harrojmë që diskutimet e tilla kanë kuptim për marrëveshje të koalicionit, për koalicione parazgjedhore. Por, kur kemi moment kritik, një krizë të vendit që nuk ka zgjidhje, pra në njërën anë ishim në gjendje të pandemisë ku vdisnin nga 15-16 veta, nuk të mbetet rrugë tjetër pos të kërkosh mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe aty s’ke se çfarë negocion”, ka thënë ai.

Sipas Aliut, në këto raste, është në rrezik vendi.

“Njëjtë e kemi sot qeveri që e ka marrë pushtetin me 61 vota, dy prej të cilave janë të deputetit Shali dhe e deputetit Arifi, vota këto që kanë probleme dhe janë në Gjykatë Kushtetuese”, ka shtuar Aliu.

E kjo, si ka thënë ai, bën që kjo qeveri të jetë jolegjitime.

“Por, kjo nuk mjafton. Ne duhet t’i rrëzojmë ata me mocion dhe janë dëmet e përditshme që po ndodhin”, ka thënë ai.

Aliu po ashtu ka thënë se kur qeveritarët shkuan në Uashington, duke e pasur parasysh që më herët e kishin hequr reciprocitetin, “për neve si LVV ka qenë shumë e qartë se si do të jetë rezultati”.

“Nuk kam pritur që ata do të sjellin njohje nga Uashingtoni. Kam pritur që ata të lëshojnë pe edhe më tepër. Ashtu edhe ndodhi”./Insajderi.com