Liburn Aliu: Kosova të rishikojë çështjen e negociatave me Serbinë

Liburn Aliu: Kosova të rishikojë çështjen e negociatave me Serbinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, tha sot se pas deklaratave të Ivica Daciq rreth fshehjes së lokacioneve të varrezave masive me shqiptarë të vrarë gjatë kohës së luftës, Kosova duhet të kushtëzojë Serbinë dhe të mos e vazhdojë procesin e dialogut.

Ai në debatin parlamentar për të pagjeturit, tha se pala kosovare duhet të rishikojë qëndrimin e saj në lidhje me vazhdimin e bisedimeve në Bruksel.

“Çka duhet të bëjmë ne? Ne duhet ta rishikojmë çështjen e negociatave me Serbinë, ne duhet t’i themi vetes kush është Serbia dhe çka kemi bërë ne në takim më Serbinë dhe ne duhet të vendosim kushte. Kot i themi bashkësisë ndërkombëtare nëse kryeministri, negociatorët janë prapë të gatshëm të shkojnë dhe të takohen, duke mos bërë asnjë ngritje zëri për këtë çështje, e as për çështjen e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Ata duhet të ulen dhe të pranojnë të gjitha kushtet që na i vendosin ata, të bëjnë marrëveshje ku Serbia fiton 10-0 dhe në fund t’i kthehemi bashkësisë ndërkombëtare të vajtojmë, ja kështu është duke thënë Daciq”.

Deputeti Aliu tha se duhet t’i bëhet e qartë Serbisë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa plotësimin e kushteve.

“Duhet t’i tregojmë Serbisë që ne nuk ulemi me ta për të diskutuar për këtë çështje, pa i qartësuar ata disa çështje dhe pa i plotësuar disa kushte konkrete. Nuk është vonë të flasim për këtë punë, por kur flasim duhet t’i shkojmë kësaj pune deri në fund. Jo në një anë ta mbajmë rrugën çelë, të vazhdojmë ne me Serbinë me negociata, sepse kjo na e mirëmban pushtetin dhe qëndrimin në qeverisje, sepse mund eventualisht të rrëzohet qeveria nëse nuk shkojmë, por ta bëjmë një rezolutë që të themi se kemi kryer punën”./Insajderi.com