Liburn Aliu: Propozimi i LDK-së për president, të jetë i pëlqyer edhe nga LVV-ja

Liburn Aliu: Propozimi i LDK-së për president, të jetë i pëlqyer edhe nga LVV-ja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë sot se emri i propozuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës për President të Kosovës, duhet të jetë i pëlqyer nga Lëvizja Vetëvendosje.

Aliu, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka deklaruar se LVV dëshiron koncensus sa i përket emrit të propozuar nga LDK-ja për president.

“Çështja është që të kemi koncensus për sa i përket kandidatit. Për ne ka qenë krejtësisht e qartë që është në rregull që propozimi të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por ai propozim i LDK-së le të jetë i pëlqyer edhe nga Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur Aliu.

Ai ka thënë se është e çuditshme se si kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për koncencus lidhur me emrin e kandidatit për president, po konsiderohet problematike në opinion.

“Më problematik po konsiderohet kërkesa e LVV-së që propozimi i LDK-së për president të jetë i pëlqyeshëm, sesa insistimi i LDK-së për propozim bllanko të emrit të presidentit”, ka thënë Aliu.

Aliu ka deklaruar se “për ne është me rëndësi që premtimi që ia japim Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidentin, të mbahet”. /Insajderi.com