Liburn Aliu sot para gjykatës

Liburn Aliu sot para gjykatës

Ministri aktual i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, do të paraqitet sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, transmeton Insajderi.

Të hënën pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ministrit Aliu dhe të akuzuarve të tjerë për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahrie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Lidhur me këtë akuzë, gjashtë të lartpërmendurit janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 30 prill, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim. /Insajderi.com