Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se zyrtarisht nuk është në dijeni për asnjë aktakuzë ndaj tij.
Në një postim në Facebook, Aliu është shprehur se për aktakuzën ka dëgjuar për herë të parë sot (e martë) në media.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk është kontaktuar as nga Prokuroria e as nga Gjykata lidhur me këtë rast.
Aliu ka shtuar se ngritja e aktakuzës pa njoftimin e tij si palë, është shkelje e procedurës dhe se për këtë do të kërkojë përgjegjësi.
“Me të lexuar lajmin, kam ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje. Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje.
Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi”, ka shkruar ndër të tjera ai./Insajderi.com
Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa…
Posted by Liburn Aliu on Tuesday, March 23, 2021