Lidhjet e sulmuesit të gazetarit Kajtazi me Milaim Zekën e Azem Sylën

Sulmuesi i Vehbi Kajtazit është nip i familjes së Azem Sylës. I shpalluri në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Kosovës, Fitim Thaqi, ka lidhje dhe miqësi me Milaim Zekën dhe Faton Ramadanin, për të cilët Insajderi raportoi për skemën e mashtrimit të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani. Fitim Thaqi është shoqëruar me figura politike përfshirë Kadri Veselin. Ai është aktivist i Nismës për Kosovën që drejtohet nga Fatmir Limaj.

Lidhjet e sulmuesit të gazetarit Kajtazi me Milaim Zekën e Azem Sylën

Sulmi kundër gazetarit Vehbi Kajtazi është kryer nga një familjar i deputetit Milaim Zeka dhe ish-deputetit Azem Syla.

Fitim Thaqi nga fshati Llapushnik është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet kosovare pasi të premten ka sulmuar fizkisht gazetarin Vehbi Kajtazi në qendër të Prishtinës.

Thaqi ka lidhje dhe miqësi me Milaim Zekën dhe Faton Ramadanin për të cilët Insajderi raportoi për skemën e mashtrimit të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani. Halla e Milaim Zekës është e martuar për axhën e sulmuesit Fitim Thaqi.


Sulmuesi i Kajtazit, Fitim Thaqi (në mes) së bashku me Milaim Zekën (djathtas)

Ndërkaq, Thaqi është nip i familjes së Azem Sylës, raporton Insajderi.

Ditën e sulmit, Fitim Thaqi ka qenë duke pirë kafe me Faton Ramadanin, Bekim Shytin dhe dy persona tjerë. Sulmi besohet se është organizuar nga Faton Ramadani dhe Milaim Zeka.


Fitim Thaqi (djathtas) fotografuar me ish-deputetin Azem Syla

Një informator i ka treguar Policisë se më 4 tetor, nga ora 13 deri në 14 pasdite, Milaim Zeka, Faton Ramadani, Fitim Thaqi kanë diskutuar në restorantin Central për sulmin.

Prej korrikut të vitit të kaluar Milaim Zeka ka nisur një fushatë linçuese me gjuhë të urrejtjes kundër Insajderit dhe drejtuesve të këtij mediumi, Vehbi Kajtazi e Parim Olluri.


Fitim Thaqi, në një ndejë ku të pranishëm ishin (siç shihet në foto) edhe Adem Grabovci, Azem Syla dhe Kadri Veseli

Zeka ka linçuar Kajtazin e Ollurin si bashkëpunëtor të Serbisë dhe shërbimit sekret serb, duke përhapur kështu pohime të pavërteta që motivojnë sulme deri në likuidim fizik.

Sulmuesi Fitim Thaqi është shoqëruar me figura politike përfshirë Kadri Veselin.


Fitim Thaqi (majtas) fotografuar me kryetarin e PDK-së Kadri Veseli

Ai është aktivist i Nismës për Kosovën që drejtohet nga Fatmir Limaj. Deputet i kësaj partie është edhe Milaim Zeka.

https://www.facebook.com/fitim.fitim30/videos/vb.100002394947301/958734964216326/?type=3&theater

Fitim Thaqi bën stërvitje boksi – siç shihet në një video të publikuar nga vet ai në Facebook

Insajderi ka bërë padi në Gjykatë duke kërkuar mbrojtje nga këto sulme. Madje ka kërkuar mbrojtje edhe nga Prokuroria.

Më 3 tetor, Insajderi raportoi për mashtrimet me viza të deputetit të NISMA-s Milaim Zeka dhe biznesmenit Ilir Krasniqi.

Në një hulumtim të publikuar nga gazeta, raportohet se 920 kosovarë kishin provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e Zekës dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi.

Insajderi ka hulumtuar për më shumë se dy muaj këtë rast, teksa ka publikuar disa seri të hulumtimeve për këtë rast.

Në raportimet e Insajderit, nga bisedat telefonike të incizuara të Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit tregojnë se si ata të dy kishin blerë një shtëpi mbi gjysmë milion euro nga Faton Ramadani, personi i cili ishte së bashku me sulmuesin Fitim Thaqi kur u sulmua Kajtazi të premten. Aty dëshmohet se Zeka ishte tërhequr nga kjo blerje.


Sulmuesi i Kajtazit, Fitim Thaqi (në anën e majtë të fotografisë) në një ambient familjar me Ismail Sylën, këshilltarin e Presidentit Hashim Thaçi (në anën e djathtë të fotografisë).

Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten rreth orës 14:30 në qendër të Prishtinës, derisa po qëndronte në njërën prej lokaleve të kryeqytetit kosovar. Pas sulmit, kryeredaktori i Insajderit mori trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK.

Kajtazi deklaroi të shtunën se e ka identifikuar vet personin që e kishte sulmuar, teksa tha se “sulmi ndodhi për shkak të shkrimeve të mija”.

Për këtë sulm ndaj Kajtazit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur sot një protestë në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së fjalës. /Insajderi.com


Sulmuesi i Kajtazit (djathtas) në foto së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli