“Ligji për pasuri të pajustifikueshme mund të hetojë edhe pasurinë e qytetarëve”

“Ligji për pasuri të pajustifikueshme mund të hetojë edhe pasurinë e qytetarëve”

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas një kohe edhe pasuritë e pajustifikueshme të qytetarëve të përfshihen në ligjin për konfiskimin e pasurive të arritura në mënyrë joligjore.

Ai për KP, tha se fillimisht procesi do të nis me pasuritë e zyrtarëve shtetëror.

“Pjesë e hetimit të jetë pasuria, pra pasuria fillimisht e zyrtarëve shtetëror apo personave zyrtar që futen në të gjitha kategoritë e shërbyesve civil, të emëruarve dhe të zgjedhur. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që gjatë diskutimeve e fazave të mëtutjeshme të futen edhe kategoritë e tjera ose të vlej për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Më tutje ai tha se pas konfiskimit të pasurisë mund t’i hapet rrugë Prokurorisë për hetime të tjera.

“Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e shkurton kohën e sekuestrimin dhe konfiskimit të pasurisë. Pra, nuk ka nevojë që personi i caktuar të dënohet. Ky ligj ndjek vetëm pasurinë e paligjshme, asgjë tjetër, ajo pasuri së pari konfiskohet pastaj i hapet edhe një rrugë tjetër Prokurorisë që ndaj atij personi të fillojnë procedura penale”, pohoi Sallahu.

Zëvendësministri Drejtësisë, deklaroi se ky ligj nuk është hakmarrje ndaj askujt. /Insajderi.com