Likaj kërkesë Kastratit: Ndërprite reformën në arsim

Kastrati ka treguar përse ka filluar me reformën e tij në Kamenicë. Reformë që parasheh mbylljen e disa shkollave që kanë fare pak nxënës dhe krijimin e shkollave më të populluara me nxënës.

Likaj kërkesë Kastratit: Ndërprite reformën në arsim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, i ka kërkuar kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, që ta ndërpresë reformën në arsim, që po e implementon Kastrati në komunën e tij.

Kjo kërkesë ka ardhur derisa të dy kanë raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, njofton Insajderi.

Likaj tha se ka kërkuar nga kryetari i Kastrati shtyrjen e reformave, në mënyrë që nxënësit të kenë qasje në shkollë, duke shtuar se janë duke bërë një studim me Bankën Botërore për këtë çështje.

“Kam kërkuar nga kryetari Kastrati një lloj shtyrje të kësaj reforme. Unë kam kërkuar që ta kemi një zgjidhje të favorshme që këta fëmijë të kenë qasje në shkollim. Ne si ministri e kemi marr përsipër që të bëjmë një studim me Bankën Botërore për një komunë për organizimin e rrjeti të shkollave dhe është një reformë që duhet të përfshijë krejt Kosovën”.

“Ajo çka është e vullnetit që ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që këta fëmijë t’i kthehen procesit mësimor, e sidomos në këtë vit që po ballafaqohemi me pandeminë, kërkesa jonë është që të dy palët të gjejnë mirëkuptim”.

Në anën tjetër Kastrati ka treguar përse ka filluar me reformën e tij në Kamenicë. Reformë që parasheh mbylljen e disa shkollave që kanë fare pak nxënës dhe krijimin e shkollave më të populluara me nxënës.

“Unë nuk mund t’i lejoj fëmijët të shkojnë në ato shkolla ku nuk kanë shokë”, pohoi ai.

“Një veprim të tillë e kemi filluar në komunën e Kamenicës bazuar në Kushtetutën e vendit, me qëllimin e vetëm të avancimit të arsimit. Kamenica dallon dukshëm nga vendet e tjera sepse ka një ngecje të gjithëmbarshëm dhe shkalla e migrimit është më rëndë dhe trendi i rënies së nxënësve është për 40%”.

“Më shumë se 50% e objekteve shkollore kanë regjistruar më pak se 5 nxënës në klasë të parë. Jam i vetëdijshëm që ky nuk është vendimi më popullor që kund të merrej”./Insajderi.com