Likaj: Mësuesit janë faktor kyç për emancipim shoqëror

Likaj: Mësuesit janë faktor kyç për emancipim shoqëror

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka uruar të gjithë mësuesit në ditën e 7 marsit, duke thënë se mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Likaj tha se kjo datë përkujton 7 marsin e 1887-tës kur u hap në Korçë mësonjëtorja e parë shqipe në drejtimin e Pandeli Sotirit.

“Sot nuk mund të lëmë pa e theksuar kontributin e punonjësve të arsimit që edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme mbajtën shkollat hapur dhe arsimin e trajtuan me prioritet. Janë ata që ndër vite kontribuan për të mbajtur gjallë arsimin shqip dhe shumë prej tyre nuk e kursyen as jetën për lirinë e vendit. Mësuesit e mirë janë udhërrëfyes dhe frymëzues në rrugën e ngritjes individuale dhe faktor kyç për emancipim shoqëror. E ardhmja nis dhe vuloset në bankat e shkollës, prandaj kësaj dite më së miri i shkon thënia e pavdekshme se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”, ka shkruar ai.

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.

Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887. /Insajderi.com