Likaj pas dorëheqjeve në KSHC: Nuk kam qenë në dijeni për arsyet

Likaj pas dorëheqjeve në KSHC: Nuk kam qenë në dijeni për arsyet

Ministri në detyrë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për arsyet të cilat pesë ish-anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë i kanë prezantuar në letrën e dorëheqjes së tyre, njofton Insajderi.

Ai ka theksuar se në rast se do t’i ishin prezantuar arsyet, atëherë do të ishte angazhuar që të gjejë zgjidhje.

“Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata”, thuhet në reagimin e ministrit Likaj.

Kujtojmë se, të enjten tre anëtarë ndërkombëtarë, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Pas tyre, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetari i Bordit të KShC-së, Gazmend Luboteni dhe nënkryetarja Vjollca Krasniqi, të cilës edhe ashtu i skadonte mandati brenda një muaji.

Arsyeja e dorëheqjes së tyre ndërlidhet me kërkesën e Antikorrupsionit për ta deklaruar pasurinë, një praktikë e panjohur për ta deri tash. Ndërsa, vendorët dorëheqjen e tyre e kanë arsyetuar me humbjen e legjitimitetit të Bordit dhe presioneve nga jashtë e nga brenda./Insajderi.com