Ministri Përgënjeshtron

Likaj pyetet për plagjiaturë dhe për nofkën “supermeni”

Kur është puna tek punimet shkencore, Ramë Likaj është nga më voluminozët. Madje kjo ishte arsyeja edhe përse ishte kritikuar – ka publikuar dhjetëra punime shkencore brenda vitit – diçka që vështirë është e realizueshme, nëse jo e pamundur. Prandaj edhe ishte quajtur me sarkazëm “supermen”. Por, ministri ka një shpjegim se si i kreu gjithë ato punime. Sa për kritikuesit, s’do që të merret me ta.

Likaj pyetet për plagjiaturë dhe për nofkën “supermeni”

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, u është përgjigjur akuzave se ai ka bërë plagjiaturë dhe mashtrim, duke publikuar dhjetëra punime brenda një kohe shumë të shkurtër.

Në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, Likaj ka thënë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe me qëllime malicioze, njofton Insajderi.

“Unë kam 26 vjet që punoj në arsim dhe punën time e vlerësojnë studentët dhe kolegët. Kam kryer fakultetin para kohe, student i dalluar me notë shumë të lartë. Puna ime është e dëshmuar, më kanë vlerësuar njerëzit profesionistë. Nuk merrem me fjalë te rrugëve”, ka thënë ministri.

Derisa, për akuzuesit e tij – udhëheqësit e organizatës ORCA – ka deklaruar se “nuk e di kush janë, nuk i njoh”, duke shtuar se “punimet e mia janë punime që janë bërë për 20 vjet, jo të punuara për 18 muaj”.

Likaj përveç se i akuzuar për plagjiaturë, ai edhe ishte përqeshur duke iu vënë nofka të ndryshme për shkak të numrit të madh të botimit të punimeve shkencore nëpër revista të ndryshme.

Për këtë, me ironi, Likaj ishte quajtur edhe “supermen”.

“Ata persona fyerjen e kanë projekt, pastaj propagandat e tilla i shfrytëzojnë për shantazhe. Kanë bërë kështu edhe më parë dhe kanë përfituar miliona euro. Unë kam vetëm mundin tim dhe ndershmërinë”.

Sipas Likajt, për ta ditur se çfarë akademiku dhe sa i përgatitur është në të vërtetë, atëherë duhet të pyeten ata që e njohin më mirë, e jo kritikuesit e tij.

“Mund t’i pyesni studentet e mi, puna ime është e dëshmuar, nuk dua të flas për vetveten, pasi kanë folur njerëzit kompetentë”. /Insajderi.com