Limaj: Aksioni i sotëm ka për qëllim goditjen e krimit të organizuar

Limaj: Aksioni i sotëm ka për qëllim goditjen e krimit të organizuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar në lidhje me aksionin e sotëm të Policisë në disa komuna të vendit.

Aksioni i Policisë së Kosovës, sipas Limajt, ka për qëllim goditjen e rrjetit të krimit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe disa zyrtarë policorë.

Limaj ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuar të luftojnë krimin e organizuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai ka ftuar qytetarët e vendit ta ruajnë qetësinë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion i ka uruar shërim të shpejtë.

Reagimi i plotë i Limajt:

“Sot, Policia e Kosovës është duke kryer një operacion policor në disa rajone të ndryshme të vendit, përfshirë komunat, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka për qëllim goditjen e rrjetit të krimit të organizuar në të cilin kanë qenë të përfshirë edhe disa zyrtarë policorë.

Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta luftojnë krimin e organizuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ftoj qytetarët e vendit që ta ruajnë qetësinë, ndërsa policëve të plagosur në këtë aksion i uroj shërim të shpejtë!”.