Limaj: Albini duhet të kërkojë falje për Albinin e mëparshëm

Limaj: Albini duhet të kërkojë falje për Albinin e mëparshëm

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që tu kërkojë falje të rinjve që ka nxjerrë në rrugë kundër flamurit “lara-lara” e Pakos së Ahtisarit.

Limaj, në Debat të RTK-së po ashtu ka komentuar vendimet e sotme të Qeverisë Kurti, ku sipas tij, kjo qeveri sot e ka shkelur ligjin, sepse ka larguar njerëz të cilët kanë qenë të zgjedhur përmes konkursit.

Po ashtu ai konsideron se qeveria aktuale nuk ka pasur plan të funksionimit të ministrive, duke shtuar se do të ketë kaos administrativ.

“Ministria e Punës është shpërndarë në disa ministri dhe qytetarët kur të kenë nevojë do të shkojnë në disa zyre dhe nuk mund t’i kryejnë punët e tyre. Kjo çështje do të duhej të rregullohej me ligj. Vendimet janë në kundërshtim me ligjin. Qeveria sot e ka shkelur ligjin”, ka vlerësuar Limaj.

“Ndryshimin nuk mund t’ia mohosh askujt, por duhet me mirëprit. Mirëpo, kur ju bëni një transformim të tillë, së paku duhet t’u kërkoni falje njerëzve që i ka nxjerrë në rrugë për flamurin ‘lara-lara’. Deri vjet të njëjtit deputetë nuk e kanë respektuar himnin dhe flamurin. Ndryshimi do të duhej me ndodhë në opozitë. Është hipokrizi sjellja e tyre. Flamurin dhe shtetin nuk mund ta duash vetëm kur je në pushtet. Albini deri sot ka mohuar çdo gjë që është bërë në këtë vend. Refuzim, asnjë forme të bashkëpunimit. Kjo që po bën Albini sot është vardisje, pas Hashimit dhe Kadrisë. Albini ka me ia marrë PDK-së, Hashimin. Kurti do t’i shkojë prapa presidentit, sepse kështu është përcaktuar me Kushtetutë. Ramushit i thoshte kryeministër me qira. Haradinaj s’ka qenë kryeministër me qira. Tash ne mund t’i themi se a je kryeministër me qira i LDK-së, Listës Serbe dhe minoriteteve”, ka theksuar Limaj dhe ka shtuar se Kurti është votuar vetëm nga një e katërta e qytetarëve të Kosovës.

Ai ka pohuar se Kurti deri dje Kadri Veselit kurrë nuk ia ka përmend emrin, i ka thënë vetëm “kriminel”, ndërsa në ditën e parë të zgjedhjes për kryeministër i tha “Zoti Veseli, unë ta zgjati dorën”.

Limaj po ashtu ka deklaruar se ardhja në pushtet e Kurtit është zhvilluar përmes dy kauzave. E para ka qenë ajo nacionale, të cilën e ka shfrytëzuar deri në momentin kur e ka parë që nuk i ec më dhe pastaj ka filluar me atë sociale.

Ai po ashtu ka pohuar se nuk mund të flet për reciprocitetin, pasi ende nuk ka parë qëndrimin e kryeministrit.

“Çka është reciprociteti ekonomik, tregtar dhe politik unë e di, por dua të di se si e prezanton atë kryeministri. Sepse për taksën një qeveri ka ra. Haradinaj e ka mbrojtur qëndrimin e tij për taksën”, tha Limaj.

Limaj ka pohuar për Kurtin se është kryeministri i vendit, të cilin nuk do ta quajë kurrë kryeministër me qira.