Ish-kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, i ka quajtur “të turpshme” deklaratat e Fatmir Limajt ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, duke shtuar tutje se Limaj do të mbetet pa e kaluar pragun duke qenë se nuk do të përkrahet nga ushatrët e partiotët, njofton Insajderi.
Sipas Bashotës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe PDK-ja janë një dhe nëse “shahet” njëra e njëjta është bërë edhe për tjetrën.
“Deklaratat e fundit të Fatmir Limajt kundër Partisë Demokratike të Kosovës janë të turpshme. Nuk mundesh me qenë edhe me çlirimtarët e UÇK-në, edhe me e sha PDK-në. Sepse, UÇK-ja është PDK-ja. ADN-ja e PDK-së është UÇK-ja. UÇK-ja është e shtrirë kudo ku është e shtrirë PDK, prej Këshillit Drejtues, Kryesisë, Degëve e Nëndegëve, në tërë Kosovën, si patriotë e profesionistë, si vlerë qytetare dhe kombëtare”, ka deklaruar Bashota në një postim në Facebook.
“Me këtë qasje, dy gjëra i ka të sigurta Fatmir Limaj: Do të mbetet edhe pa e kaluar pragun, edhe pa nder. Duke e sulmuar PDK-në, ai nuk do ta marrë kurrë asnjë votë të ushtarëve e patriotëve”, shkruan tutje ai.
Sipas tij, kauza e Limajt është vetëm përpjekje e tij për t’i shpëtuar “fundit të tij” politik.
“E sa për “respektin” e Fatmir Limajt për ushtarët e UÇK-së, e ka treguar më së miri pushteti i tij lokal në Malishevë, kur i diferencoi dhe i përjashtoi pjesëtarët e UÇK-së veç pse ata ishin në PDK. Prandaj, “kauza” e tij e sotme për gjoja mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është vetëm farsë dhe mjet për t’u përpjekur ta shpëtojë fundin e tij politik. Asgjë tjetër”, ka theksuar Bashota. /Insajderi.com