Limaj e quan Daçiqin këlysh të Millosheviqit

Limaj e quan Daçiqin këlysh të Millosheviqit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga deputetët që të bëhen bashkë për t’ia drejtuar një letër Parlamentit Evropian, Bashkimit Evropian dhe shteteve të fuqishme që të kërkojnë nga Serbia ndriçimin e fatit të të pagjeturve Të Kosovës, njofton Insajderi.

Sipas tij, debati i sotëm duhet të shërbejë për të ngritur alarmin ndaj partnerëve ndërkombëtarë, për të parë edhe një herë se me çfarë shteti kanë bashkëbiseduar deri më tani.

Në debatin që po zhvillohet këtë pasdite në Kuvendin e Kosovës, në emër të Grupit Parlamentar të Nisma-AKR, Limaj tha se ka qenë një konsensus i heshtur për të fshehur krimin.

“Kjo ka ndodhur në tavolinën e udhëheqësve shtetërorë të një shteti, i cili siç thash është kandidat për BE… Mos harroni, kreu shtetëror, drejtësia serbe me proces verbal shkon, me gjyqtarë hetues, me prokurorë, e mbajnë proces verbalin duke e fshehur krimin e dhjetëra njerëzve të vrarë në Danub, duke i paraqitur gjoja se janë refugjatë kurd e tentojnë të ikin në Rumani”.

Ky debat i sotëm parlamentar, Limaj tha se është t’ia ngritur edhe vetëdijen Parlamentit Evropian, se kujt i kanë dhënë kandidaturën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Limaj shtoi tutje se kryetari aktual i Kuvendit të Serbisë, ka kërcënuar dhe ka punuar për të fshehur krimin i cili është bërë në Kosovë.

Për këtë arsyeje, ai potencoi se është e domosdoshme që deputetët të bëhen bashkë dhe t’i drejtohen Parlamentit Evropian dhe BE-së dhe shtetet e fuqishme me një letër, për ndriçimin e fatit të mbi 1600 civilëve shqiptarë për të cilët edhe pas dy dekada nuk dihet fati i tyre./Insajderi.com