Limaj: Hetimet ndaj meje kishin për qëllim shkatërrimin e autoritetit tim

Limaj: Hetimet ndaj meje kishin për qëllim shkatërrimin e autoritetit tim

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi të enjten mbrëma se hetimet në Ministrinë e Transportit në kohën sa ai ishte ministër, kanë pasur për qëllim të vetëm shkatërrimin e autoritetit të tij.

Ai tha se ishte target shumë i dëshiruar për t’u goditur nga ish shefi i EULEX-it, Iv de Cermabo.

“Isha njeriu i dytë i Partisë Demokratike të Kosovës, njeri i kthyer nga Haga, ministër i suksesshëm. Për atë arsye isha target i dëshiruar”.

Sipas tij, misioni i EULEX-it në Kosovë ka bërë shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut dhe askush nuk ka folur për këtë.

“Ka pasur shkelje masive të të drejtave të njeriut. Hetimet në Ministrinë e Transportit kanë pasur qëllimin që me kalua në krimet e luftës. Krejt procesi tregon se veprimet e Ministrisë kanë qenë me shkatërrua autoritetin tim që kur të veprohet në krimet e luftës mos t’i dhimbsem askujt”, u shprej Limaj në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Limaj komentoi edhe raportimin e Ish-kryetarit të asamblesë së gjyqtarëve të EULEXI-it, Malclom Simmons, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Për herë të parë Simmons nuk ka dhënë opinione dhe intervista, por iu ka drejtuar institucionit më të lartë në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi. Dëshmi e cila është e dëshmuar dhe e transkriptuar nga Kuvendi i Kosovës. Institucionet e Kosovës tashmë e kanë një dëshmi nga ish-kryetari i gjyqtarëve te EULEX-it, i cili i konfirmon ato që i ka thënë në të kaluarën dhe i thotë edhe disa çështje më shumë se çka ka thënë deri më tani”.

Limaj shtoi se dëshmia e Simmons është fakti më i mirë që misioni i EULEX-it ka bërë veprime kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./Insajderi.com