Limaj: Kosova ka president, koalicioni është stabil për aq sa ka partneritet

Limaj: Kosova ka president, koalicioni është stabil për aq sa ka partneritet

Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti me partnerët e koalicionit.

Kryetari i NISMA Fatmir Limaj tha se ka qenë dakordim i përbashkët që në dialog Kosova është e gatshme të marrë pjesë me qëllime të qarta. Ai shtoi se në dialog do të shkojnë për njohje, dhe nuk do të lejojnë që të bisedohen tema teknike, njofton Insajderi.

“Një nga temat kryesore ishte çështja e dialogut. Ka qenë një shqetësim dhe dakordim i përbashkët që Kosova është e gatshme të vazhdojë të marrë pjesë me agjendën e qartë, edhe njëherë rikonfirmimi që Kosova me ato kompromise çështjen e heqjes së taksës, reciprocitetin, i ka bërë për kthim në dialog për njohje dje ne shkojmë në dialog për njohje, shqetësimin që dialogu rrëshqet në teknik duhet ta eliminojmë”, tha ai.

Limaj ka bërë të ditur se në këtë takim nuk kanë diskutuar për postin e presidentit. Madje ai ka shtuar se kjo temë është e turpshme dhe nuk duhet të bisedohet.

“Kosova e ka presidentin. Qëndrimi i Nismës është që Kosova e ka presidentin, kjo nuk është temë e diskutimit. Është e turpshme që kjo temë të diskutohet tani”, tha Limaj.

Ndërkohë shtoi se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. “Koalicioni është i qëndrueshëm për aq sa ka partneritet korrekt në funksion të kryerjes së detyrave shtetërore, kur nuk ka korrektësi nuk na duhet koalicione të improvizuara që nuk janë më shërbim të temave për të cilat folëm”, tha ai.

I pyetur se a e pranon një koalicion edhe me PDK-në, Limaj tha se është për një qeveri të fuqishme.

“Unë jam për një qeverisje të gjerë e stabile të fuqishme që merr përgjegjësi për trajtimin e temave të rëndësishme për vendin”, tha ai.

Ndryshe, posti i presidentit pritet të mbetet i lirë më së largu në pranverë kur përfundon mandati 5-vjeçar i Hashim Thaçit, por mund të mbetet edhe më herët nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij nga Specialja.

Kohëve të fundit në mes të partnerëve të koalicionit janë shfaqur shumë përçarje për tema të ndryshme, sidomos mes LDK-së dhe AAK-së.