Limaj në Berlin: Kosova shumë shpejt do ta fitojë liberalizimin e vizave

Limaj në Berlin: Kosova shumë shpejt do ta fitojë liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në takimet që ka zhvilluar në Berlin, ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka shprehur shqetësimin e Kosovës lidhur me qëndrimin e Serbisë, e cila po i mohon krimet që i ka kryer në Kosovë.

Në Berlin Limaj ka zhvilluar takime në Bundestagun gjerman, në Zyrën e Kancelares Merkel dhe në Ministrinë e Jashtme.

Fatmir Limaj, i cili drejton ekipin shtetëror për dialogun me Serbinë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se shpreson që takimi që do të mbahet në Paris, mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, do të afrojë palët dhe do të fillojnë dialogun e negocimit, me qëllim të një marrëveshje finale, e cila do të parashihte njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia.

Limaj thotë se është e rëndësishme që të shkojnë në Paris të përgatitur dhe të ketë pastaj një qartësi rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Limaj: Është shumë i rëndësishëm angazhimi i BE-së dhe ShBA-në në procesin e dialogut.

“Ajo që unë besoj dhe është mendim i të gjithëve është se angazhimi i Bashkimit Evropian, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shumë i rëndësishëm, koordinimi mes tyre është shumë i rëndësishëm dhe vet koordinimi i Kosovës me miq të vet në këtë proces dialogu. Vetëm kështu ne mund të sigurojmë që kemi garanci të sigurtë që mund të vimë deri të një marrëveshje e cila përfundimisht do t’i mbyllte konfliktet Kosovë-Serbi”, thotë ai.

Limaj në Berlin ka folur edhe për qëndrimin e shtetit serb në çështjen e krimeve të luftës, ku Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për këtë Limaj thotë të ketë shprehur shqetësimin para miqve gjerman.

Limaj: Shprehëm shqetësimin tonë për qëndrimet e Serbisë për mohimin e krimeve serbe.

“Shprehëm shqetësimin tonë për qëndrimin e Serbisë, krerëve të shtetit serb, sidomos në mohimin e krimeve të luftës, fatkeqësisht edhe pas 20 vitesh, në vend se pushteti serb të distancohet nga krimet e regjimit mbi gjenocidin që ka kryer regjimi i Millosheviqit, ata jo që nuk distancohen por përkundrazi, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mohojnë krimet të kryera nga policia e ushtria serbe dhe ne kërkuam nga miqtë tanë që të shfrytëzojnë influencën e tyre që të kërkojnë nga Serbia njëherë e mirë të distancohet nga e kaluara dhe mos të mohojnë krimet që i ka kryer regjimi i Millosheviqit”, thotë ai.

Limaj nuk la pa përmendur edhe procesi ne liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Sipas tij, tashmë është i qartë pozicioni i Gjermanisë në këtë çështje. Ai thotë që presin nga Gjermania të ushtrojë ndikimin e saj në vendet e tjera, në mënyrë që Kosova sa më shpejtë të marrë liberalizimin e vizave.

Limaj: E theksova dëshpërimin e kosovarëve për mungesë të lëvizjes së lirë.

“E theksova në mënyrë të veçante dëshpërimin e njerëzve në Kosovë për vonesën e liberalizimit duke ditur që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, jemi i vetmi vend në rajon që nuk e kemi liberalizimin e vizave, njerëzit tanë janë të privuar nga mundësia për të qarkulluar lirshëm sikur popujt tjerë fqinjët tanë. Ata e dinë mirë këtë situatë dhe bashkndjenjë me ne, andaj edhe përkushtimi i tyre që sa më shpejtë kjo çështje të adresohet, jep shpresë që shumë shpejt do të kemi përfundim të këtij procesi dhe Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave”, thotë ai.

Nga Berlini, Limaj bëri të ditur se përkushtimi i Gjermanisë që të ndihmojë procesin e dialogut Kosovë-Serbi është i rëndësishëm, dhe për këtë ka falënderuar miqtë në Gjermani.