Limaj: Me Nismën në qeverisje qendrore e lokale, së paku një të punësuar në familje

Limaj: Me Nismën në qeverisje qendrore e lokale, së paku një të punësuar në familje

Zëvendëskryeministri i Kosovës njëherësh lider i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë në tubimin e Nismës ardhja e tyre në qeverisjen qendrore e lokale, çdo familje në Kosovë do ta ketë së paku një anëtar të familjes të punësuar.

Ai ka ftuar qytetarët që ta votojnë Nismën për Kosovën, pasi filozofia politike e tyre mbron qytetarin e vendit dhe përmirëson jetën e tyre.

“Qytetarët e Republikës sonë do kenë rastin që filozofinë politike ta përfaqësojnë në praktikë. Qytetarët e Kosovës kanë një mundësi, që të shohin ofertën tonë, një ofertë që siguron vendosmëri, vullnet, mbajtje fjale, angazhim e dinamikë tjetër në përmbushjen e detyrave”, pohoi Limaj.

“Në këto zgjedhje kandidatët tanë për kryetarë do shpalosin filozofinë politike e do zotohen për përmbushjen e detyrave dhe pritjeve të qytetarëve tanë”, ka thënë tutje ai.

“Kandidatët tanë do të zotohen dhe do të marrin obligime që me përkushtim e dinjiteti, me respekt për ligjin, me angazhim për të përmbushur pritje, të punojnë për të ndryshuar komunat e tyre”, tha Limaj gjatë tubimit të Nismës për Kosovën që u mbajt në Prishtinë, raporton Klan Kosova.

“Do jenë afër qytetarit pa dallim përcaktimi politik, etnik e fetar. Nisma do jetë afër atyre që s’kanë mundësi, do jemi afër familjeve të varfra, familjeve në nevojë, afër atyre që tentohet që t’u bëhet padrejtësi”, ka thënë ndër tjera ai.