Limaj: Pavarësisht sulmeve, askush nuk e zbeh luftën e UÇK-së

Limaj: Pavarësisht sulmeve, askush nuk e zbeh luftën e UÇK-së

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se pavarësisht sulmeve të gjithanshme askush nuk mund të zbehë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

I shoqëruar nga bashkepartiakë, ai të shtunën bëri homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Limaj u shpreh se një komb që nuk ka mirënjohje për të kaluarën e tij rrezikon të ardhmen.

Ai theksoi se duke nderuar Adem Jasharin dhe familjen e tij nderojnë të gjithë dëshmorët e rënë në luftën për lirinë e Kosovës.

“Si çdo vit në këtë datë, gjithë kombi shqiptar vjen këtu për të nderuar lavdinë, sakrificën, përkushtimin e komandantit legjendar, Adem Jashari, sakrificën e gjithë familjes së tij, e familjarëve të tij, por gjithashtu përmes kësaj nderojmë e kujtojmë jetën e veprën e lavdishme të të gjithë dëshmorëve të kombit”.

Ai tha se më shumë se kurrë lufta çlirimtare e udhëhequr nga komandanti legjendar, Adem Jashari dhe me mijëra ushtarë e dëshmorë i është ekspozuar sulmit të vazhdueshëm të gjithanshëm për të zbehur lavdinë dhe pastërtinë e kësaj lufte.

“Ne sot jemi këtu dhe në këtë përvjetor për të nderuar, përkulur ndaj sakrificës së atyre burrave dhe grave të Kosovës në krye me komandantin legjendar, me themelet e shtetit të Kosovës, garanci për këtë janë fryma çlirimtare e qytetarëve, e popullit të Kosovës, e pasardhësve të atyre të cilët kanë dhënë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Lavdi komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Limaj. /Insajderi.com