Limaj: Premtimet për ekonomi janë pallavra, dialogu është problem i Kosovës

Limaj: Premtimet për ekonomi janë pallavra, dialogu është problem i Kosovës

Nisma Socialdemokrate ka vazhduar ditën e katër të fushatës zgjedhore në Gjilan me akuza ndaj partive tjera, duke lënë anash shpalosjen e planprogramit të saj para simpatizantëve, njofton Insajderi.

Bartësi i listës së kësaj partie, Fatmir Limaj ka arsyetuar këtë gjë duke thënë se të gjitha plan-programet e partive tjera janë pallavra, kjo pasi, sipas tij, Qeveria e ardhshme do të krijohet vetëm për dialog.

“Krejt çka flasin për ekonomi janë pallavra, edhe Qeveria që do krijohet për dialog si mundësi për t’i dhënë perspektivë vendit. Ftojmë që zëri i çlirimtarëve të jetë i fuqishëm në Parlament për të mbrojtur vendin”, ka deklaruar Limaj.

As sot nuk kanë munguar deklaratat ndaj kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Sekretari i Përgjithshëm i Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka ftuar Hoxhajn që të sqarohet mbi gjenocidin e Kosovës.

“Ka katër ditë që kjo informatë është në dispozicion të popullit dhe cili është reagimi i tij? Ai përveç që nuk pranon por edhe tallet me këtë. Kosova nuk guxon, nuk e ka të drejtën t’i jep mbështetje një njeriu që e mohon gjenocidin. E ftoj nga këtu të dal publikisht para popullit dhe të sqarohet nëse ka pasur apo nuk ka pasur gjenocid në Kosovë”, është shprehur Sherifi.

Në anën tjetër, kandidati për deputet nga Vitia, Kastriot Sylejmani, megjithëse nuk ka shpalosur ndonjë pjesë të plan-programit ka thënë se Nisma jep zotime që realizohen.

“Ne si subjekt kemi edhe program shumë të mirë. Madje programet tona dallohen shumë më shumë nga ato të partive tjera. Pjesa më e madhe janë zotuar dhe janë në zbatim si të tilla. Nuk japim shumë premtime, por ato që i themi janë zotime dhe ato realizohen. Me këtë vullnet, me këtë mirësi dhe duke mos harruar kontributin e madh të Limajt, më 14 shkurt nderona neve dhe veten duke votuar numrin 121. Me votën e juaj do jemi një zë i fuqishëm në Kuvend për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe themelet e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Si edhe në ditët tjera, as gjatë kësaj fushate nuk u respektuan masat anti-COVID./Insajderi.com