Limaj premtonte nga një të punësuar për çdo familje, punësohen djali i tij dhe nipi i Krasniqit

Limaj premtonte nga një të punësuar për çdo familje, punësohen djali i tij dhe nipi i Krasniqit

Lideri i Partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj kishte premtuar në zgjedhjet e fundit se ai do t’ia mundësonte qytetarëve të Kosovës një të punësuar për çdo familje.

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas koalicionet me AAK dhe PDK, Limaj punësoi djalin e tij si shef të kabinetit të Ministrisë së Tregtisë, ku ministër i këtij dikasteri është Bajram Hasani i cili vjen nga radhët e Nismës.

Mirëpo nuk kanë shkuar shumë muaj në këtë ministri është emëruar edhe nipi i Jakup Krasniqit, Taulant Krasniqi.

Më 5 korrik të këtij viti, Taulant Krasniqi me 85.3 pikë të marra nga komisioni ka arritur të bëhet inspektor i tregut për Divizionin për cilësi dhe tregti të naftës dhe derivateve të saj.

Lidhur me këtë, ministri Hasani ka thënë se nuk është në dijeni, pavarësish se dikasteri i lartpërmendur është në kuadër të ministrisë që ai drejton.

Tërë përgjegjësinë ministri ia ka hedhur administratës dhe sekretarit të përgjithshëm, Burim Rreci.

Televizioni ka provuar të marrë edhe qëndrimin e këtij të fundit por kabineti i tij ka thënë se ai gjendet në një takim në nivel sekretarësh, andaj nuk mund të flasë gjatë tërë ditës.

Vetë Taulant Krasniqi përmes një përgjigjeje elektronike nuk ka pranuar se xhaxhai i tij i ka ndihmuar në punësim.

“Konkursi ka qenë publik. E kam shfrytëzuar të drejtën time si qytetar i lirë i Kosovës. Axha ka punë tjera. Apo, nëse e kam axhë bacin Jakup, kjo nuk ma merr të drejtën për punësim”, ka thënë Taulant Krasniqi, inspektor në Divizionin e naftës.