Limaj takohet me Ramën, kërkohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura

Limaj takohet me Ramën, kërkohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë vizitës Limaj është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në këtë takim është diskutuar për përgatitjet e mbledhjes se përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila do të mbahet më 27 nëntor në Korçë.

Zëvendëskryeministri Limaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për konkretizimin e marrëveshjeve të reja para mbledhjes së 27 nëntorit.

“Janë një numër marrëveshjesh konkrete të cilat duhet të fillohet të implementohen dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja. Si Qeveri e Kosovës jemi të vendosur që marrëveshjet e arritura deri më tani të mos mbeten në letër, por të implementohen në praktikë”, ka thënë zëvendëskryeministri Limaj.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka thënë se edhe Qeveria shqiptare është e interesuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri Limaj dhe kryeministri Rama janë pajtuar që deri më 10 nëntor të finalizohen një sërë marrëveshjesh, të cilat më pas do të zyrtarizohen në mbledhjen e përbashkët më 27 nëntor.

Zëvendëskryeministri Limaj gjatë kësaj vizite është takuar edhe me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.