Limaj thotë se pas tri vitesh do të jenë shumicë në Kuvend

Limaj thotë se pas tri vitesh do të jenë shumicë në Kuvend

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka ftuar qytetarët e Kosovës qe të votojnë Nisma për Kosovën. Ai thotë se socialdemokratët pas tre viteve do të jenë shumicë në Kosovë.

Zv/kryeministri i Kosovës, vlerëson se qytetarët e Kosovës, e kanë një mundësi ideale që më 22 tetor e votën e tyre të përcaktojnë të ardhmen e komunës ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Limaj, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se partia të cilën ai e drejton e ka projektin e vetëpunësimit, përmes të cilit, sipas tij, do të arrihet që në Kosovë të mos mbetet asnjë familje pa një anëtar të punësuar.

“Koha për Nismën ka ardhur dhe atë askush nuk mund ta ndalë. Votojeni Nismën dhe numrin 31”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në ‘Facebook’.

Postimi i plotë i Fatmir Limajt:

Qytetarët e Kosovës e kanë një mundësi ideale që më 22 tetor me votën e tyre ta përcaktojnë të ardhmen e komunës ku ata jetojnë dhe veprojnë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të kenë kujdes se kujt do t’ia besojnë udhëheqjen. Para se të vendosin kë duhet votuar, le të mendojnë se kujt po i shkojnë prapa. Mos shkoni prapa njerëzve të cilët nuk kanë adresë dhe të cilët kanë dalë nga prehri i UDB-së. Mos shkoni prapa njerëzve të cilët nuk kanë bërë gjë për këtë vend. Por, ndiqeni vizionin politik të njerëzve të cilët kanë dëshmuar se ç’janë në gjendje të bëjnë për këtë vend. Në Kosovë aktualisht janë dy kampe; njëri kamp i cili vetëm mashtron, jep premtime dhe nuk bën gjë dhe në anën tjetër, është kampi i cili vetëm shan dhe arritjen e synimeve politike e synon përmes rrënimit të asaj që është arritur në këto 18 vite. Nisma për Kosovën në këto katër vite të ekzistimit të saj ka dëshmuar se është një parti e cila interesin e shtetit e vë para atij partiak. Në këto katër vite kemi qenë urë bashkuese e opozitës së bashkuar. Për herë të parë në Kosovë ka pasur një opozitë të mirëfilltë, e ku rolin bosht e ka pasur Nisma për Kosovën. Projekti socialdemokrat i Nismës për Kosovën po përqafohet nga ana e qytetarëve të vendit dhe ju siguroj se në tri vitet në vazhdim socialdemokratët do të jenë shumicë në Kosovë. Prandaj, të nderuar qytetarë të Kosovës, mbështeteni këtë projekt, i cili ka për qëllim t’u ndihmojë njerëzve në nevojë. T’i ndihmojë punëtorit, bujkut, pensionistit, ndërmarrësit, t’u ndihmojë djemve dhe vajzave të reja të cilët e kanë një ëndërr. Nisma për Kosovën e ka një projekt. E ka projektin e vetëpunësimit, përmes të cilit do të arrihet që në Kosovë të mos mbetet asnjë familje pa një anëtar të punësuar. Koha për Nismën ka ardhur dhe atë askush nuk mund ta ndalë. Votojeni Nismën dhe numrin 31!