“Linçimi i gazetarëve nga zyrtari i VV-së duhet të hetohet, partia e tij të kërkojë falje”

“Linçimi i gazetarëve nga zyrtari i VV-së duhet të hetohet, partia e tij të kërkojë falje”

Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga anëtari i saj që kërcënoi dhe linçoi  gazetarët me arrestim për shkak se kishin shkruar dhe dhënë mendime për ‘Rastin Dehari”.

Po ashtu, UGK ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë gjuhën linçuese të Durmishit, i cili kishte thënë se duhet të arrestohen edhe gazetarët pasi u publikuar raporti për Astrit Deharin.

“Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) dënon ashpër kërkesën linçuese për arrestimin e gazetarëve nga ana e zyrtarit të Vetëvendosjes z. Hysen Durmishi. Kjo gjuhë kërcënuese e linçuese drejtuar në adresë të gazetarëve dhe mediave është e dënueshme dhe e ndaluar. Vetëvendosje duhet t’iu kërkojë falje gazetarëve dhe mediave dhe të mos bie në kundërshtim me parimet e demokracisë, lirinë e mediave dhe gazetarëve të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e UGK’së deguar mediave.

Sipas UGK’së, organet e drejtësisë duhet ta trajtojnë me prioritet çdo kërcënim në adresë të gazetarëve dhe mediave nga kushdoqoftë dhe në çfarëdo forme.

“UGK, i bënë thirrje z. Durmishi dhe gjithë të tjerëve që i kërcënojnë gazetarët të ndalin veprime të tilla dhe të kërkojnë falje sepse linçimi dhe kërcënimi janë të papranueshme”, thuhet në fund të deklaratës së Unionit të Gazetarëve të Kosovës.