Linda Gusia, asistentja që ligjëron në kundërshtim me rregulloren e UP’së – pasi “profesorët kanë angazhime tjera”

Linda Gusia, asistentja që ligjëron në kundërshtim me rregulloren e UP’së – pasi “profesorët kanë angazhime tjera”

Artanës (emri i së cilës është ndryshuar për shkak të ruajtjes së anonimitetit), studente e vitit të tretë në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, jo rrallë herë i ndodhë të mbajë ligjërata vetëm me asistentë, në mungesë të profesorëve të lëndës.

Ajo për Shqip.com tregon se në semestrin e V-të, në një nga lëndët, ligjëratat i ka mbajtur një javë me profesorin, ndërsa javën tjetër me asistenten.

“Gjatë gjithë semestrit, një javë na ka ligjëruar profesori, një javë asistentja e tij, pa mbikëqyrjen e askujt. Por, të mbajmë orë me asistentë të lëndës nuk është diçka e pazakontë për ne”.

As ajo, as kolegët e saj, asnjëherë nuk janë ankuar në dekanat, “pasi frikësohemi se mund të na hakmerren në nota profesorët”.

Mbajtja e gjithë ligjëratës nga asistentët, pa mbikëqyrjen e profesorit, është në kundërshtim me rregulloren e UP-së.

Po që se është asistent/e i/e ri/re nuk ka të drejtë në kurrfarë rrethane ta mbajë ligjëratën pa profesorin e lëndës. Situata ndryshon pak, kur bëhet fjalë për asistentë të rizgjedhur. Megjithatë, as këta s’mund të ligjërojnë pa mbikëqyrje.

Në nenin 178 të Statutit të UP-së thuhet se “asistenti që është rizgjedhur, në mungesë të profesorit për lëndën, mund të autorizohet për mbajtjen e ligjëratave të kufizuara në studimet Bachelor me autorizimin e këshillit të njësisë akademike dhe nën mbikëqyrjen e një mësimdhënësi nga departamenti – katedra”.

Një shkelje të tillë e bën edhe vetë shefja e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Linda Gusia, e cila aktualisht ka titullin “asistente e rregullt”.

Këtë shkelje ajo e arsyeton duke thënë se “jam doktor shkence”.

“S’e di se çka je t’u këqyr ti, dhe s’po di se çka është temë këtu”, tha Gusia, përkundër se iu tregua disa herë se tema është ligjërimi jo i rregullt i saj, pasi është vetëm asistente dhe, në kundërshtim me rregulloren, e mbanë lëndën e vetme.

“S’e di çfarë imagjinate keni ju. Unë jam doktor shkence dhe aktualisht jam duke pritur të hapet konkurs për avancim. Në Master nuk ligjëroj pa mbikëqyrje, ndërsa në bachelor po”, deklaroi ajo për Shqip.com.

Gusia vazhdoi tutje duke dhënë leksione se për këtë çështje duhet të pyetet punëdhënësi i saj, dhe jo ajo.

“Mos më thirr mu, po thirre punëdhënësin tim, Dashamir Bërxullin”.

Në anën tjetër, Dashamir Bërxulli, dekan në Fakultetin Filozofik, i kontaktuar nga Shqip.com, mohoi kategorikisht që në këtë fakultet ligjëratat mbahen nga asistentët pa mbikëqyrjen e profesorëve.

Dashamir Bërxulli, dekan në Fakultetin Filozofik

“Në fakultetin filozofik secili që mbanë mësim mbikëqyret. Por, për interpretim të rregulloreve, drejtojuni rektoratit. Cilësinë e arsimit ne e kemi të parën”, tha Bërxulli.

I njëjti në vend se të jepte interpretimin e tij lidhur me rastin e Gusia-s, e kërkonte atë nga gazetarja.

“Unë po të pyes ty si gazetare, a ke bo ndonjë hulumtim? Çfarë interpretimi ke ti për këtë? Ti si gazetare që po interesohesh për këtë çështje, më trego të lutem, e ke gjetur si është e vërteta?”, vazhdonte Bërxulli.

Më shumë përgjigje e më pak pyetje për këtë çështje kishte Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Ai thotë se bazuar në hulumtimin “Dembelët e Hasan Prishtinës” të realizuar nga kjo organizatë, ku janë monitoruar profesorët e Fakultetit Filozofik, Ekonomik dhe Juridik, raste si ky i Gusisë ka plotë.

“Me hulumtime të tjera mund të vërtetohet se profesorët kanë angazhime të tjera jashtë universitetit. Por, asistenti në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë ta mbajë ligjërata, ose veç në ato raste kur janë bashkë me profesorin, pra kur asistohet”.

Në këtë rast, sipas Hoxhës, u takon studentëve të rebelohen për këtë shkelje.

“Studentët duhet ta adresojnë këtë çështje brenda fakultetit. Ky është problemi fillestar se studentët e marrin si të mirëqenë”.

“Në anën tjetër, profesorët në asnjë formë nuk e deklarojnë që asistenti e ka mbajtur ligjëratën dhe jo ata vetë. Asistentët e marrin listën dhe ua japin studentëve për t’u nënshkruar që kanë marrë pjesë në ligjëratë, ndërsa në fund profesori e deklaron sikur ai e ka mbajtur ligjëratën”.

Në rast se vërtetohet se një asistent/e ligjëron duke shkelur rregulloren e UP-së, kjo e fundit sipas Hoxhës duhet të marrë masa disiplinore.

Por, për t’u bërë vërtetimi, “studentët duhet të aktivizohen dhe ta dëshmojnë këtë”.

Dibran Hoxha, ORCA

Dhe, derisa studentët nuk aktivizohen, asistentë si Gusia vazhdojnë të bëjnë shkelje e dekanë si Bërxulli vazhdojnë t’i arsyetojnë shkeljet e bëra. /SHQIP.com