Gazeta online Insajderi është një platformë mediale e zakonshme në dukje. Ama jo në përmbajtje. Është ecje në anën e kundërt.
Është hap i vogël i një synimi të madh. Hapet në kohën kur po perfeksionohet presioni shumëllojshëm mbi mediat. Hapet në kohën kur politikanët e fuqishëm ushtrojnë ndikimin në media duke kontrolluar burimet e të ardhurave të tyre.
Në gjithë këtë zhvillim, Insajderi synon të lë shenjë në zhvillimin e gazetarisë profesionale.
Synon që të jetë model i guximit për të hapur dhe mbajtur një medium kritik në një vend të kritikuar si gjysmë-totalitarë.
Ne synojmë që Insajderi të bëhet medium i fuqishëm. Ne besojmë në këtë. Ndryshe, nuk do të hapej kurrë.
Për këtë jemi të bindur.
Ne do të punojmë që platformën mediale që prej sot e keni në kompjuterët, tabletat, dhe telefonat tuaj ta bëjmë adresën kryesore të shkrimeve dhe raportimeve hulumtuese. Ne po punojmë që të jenë të përditshme shkrimet që nxjerrin në pah krimin e organizuar, korrupsionin, problemet politike, ekonomike e kulturore.
Insajderi nuk ka lindur rastësisht. Ishte një ide e menduar prej kohësh me të vetmin synim: gazetarinë e mirë. Është një ide për të shtyrë përpara zhvillimin e mediave profesioniste në vendin e ngufatjes së gazetarisë së lirë.
Platforma jonë do të sjell një frymë të re. Do të udhëhiqet nga gazetarët dhe do të jetë medium i gazetarëve. Larg ndikimeve politike, apo të grupeve të interesit.
Insajderi u promovua me shpejtësi ende pa ia nisur punës. Kolegët gazetarë na besuan dhe nuk hezituan që nismën tonë ta prezantojnë në mediat e tyre. Kjo na bënë më me shumë përgjegjësi para tyre dhe lexuesve.
Mirë së u takuam.