Zoran Vukotiq lirohet nga akuza për krime lufte

Zoran Vukotiq lirohet nga akuza për krime lufte

I akuzuari për krime Zoran Vuktiq, të mërkurën, në mungesë të provave, është liruar nga kjo akuzë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Vukotiq, akuzohej se në bashkëkryerje me Guroljub Paunoviq, më 5 maj 1999, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Dariusz Sielicki, fajësia duhet të provohet përtej dyshimit të bazuar.

Trupi gjykues në arsyetimin e dhënë në prani të palëve, ka thënë se nuk ka pasur dyshime për faktet të cilat kanë ndodhur më 5 maj të vitit 1999.

Dënim të merituar, i cili do të pasqyrojë krimet e kryera nga ana e të akuzuarit Zoran Vukotiq, e kishte kërkuar të martën më 15 maj 2018, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, prokurori Paul Flynn, gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare në këtë rast.

Prokurori Flynn, në fjalën e tij përfundimtare kishte thënë se sipas tij është provuar përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari Zoran Vukotiq, në bashkëkryerje, është fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë e të cilët kanë qenë, Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, si dhe është fajtor për shkaktimin e trajtimit çnjerëzor, përbuzjes së dinjitetit njerëzor dhe plaçkitjes së civilëve shqiptarë të Kosovës, më 5 maj 1999.

Aktgjykim dënues për të akuzuarin Zoran Vukotiq, kishte kërkuar edhe mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi, në fjalën e tij përfundimtare e cila.

Ndërkaq, lirim nga akuza kishte kërkuar mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokati Miro Deleviq, i cili kishte thënë se konfirmimi i aktakuzës sipas tij, ka qenë i bazuar në deklaratat e dëshmitarëve kur të gjithë janë të nacionalitetit shqiptar, ndërsa i akuzuari i takon nacionalitetit serb.

Kurse, i akuzuari Zoran Vukotiq, më 14 maj 2018, në seancën e shqyrtimit gjyqësor ku ka dhënë mbrojtjen e tij, kishte deklaruar se edhe pse ka qenë në pozitën e rezervistit të policisë serbe, dhe ka patrulluar në rrugët kryesore të qytetit të Vushtrrisë, nuk ka dëgjuar as nga kolegët e tij, se më 5 maj të vitit 1999, janë vrarë katër civilët shqiptarë, Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Pas mbajtjes së më shumë se 20 seancave gjyqësore, dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria kanë rrëfyer mbi ngjarjet e 5 majit të vitit 1999, ku sipas tyre, në mënyra të ndryshme janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore, janë rrahur e plaçkitur nga i akuzuari Zoran Vukotiq.

Gjatë dhënies së dëshmisë, dëshmitarja Sanije Fazliu, në seancën e 21 shkurtit 2018, kishte deklaruar se i akuzuari Vukotiq dhe Guroljub Paunoviq, ishin dy personat me uniforma, të cilët sipas saj në shtëpinë e saj në Vushtrri, para saj dhe kunatës së saj i kanë vrarë, fqinjin Enver Rrustollin dhe të afërmit Hamdi, Avdulla dhe Fahredin Fazliu.

Ndërsa, dëshmitarja Fikrije Shaqiri, në seancën e mbajtur më 20 mars 2018, kishte rrëfyer se si nga i akuzuari Zoran Vukotiq, para syve të saj është vrarë bashkëshorti i saj Fahredin Fazliu dhe tre të tjerët, Enver  Rrustolli, Hamdi Fazliu dhe Avdulla Fazliu.

Dëshmitarja Fikrije Shaqiri, gjatë dhënies së dëshmisë së saj, në sallën e gjykimit, kishte bërë identifikimin e të akuzuarit Vukotiq, si njërin ndër dy personat e armatosur që i kanë vrarë të afërmit dhe bashkëshortin e saj.

Edhe dëshmitari kyç i këtij rasti, Bedi Fazliu, ka identifikuar të akuzuarin Zoran Vukotiq, si njërin ndër dy personat e uniformuar që kishin vrarë të afërmit e tij, e që në ndërkohë dëshmitari i kishte parë përderisa po fshihej nga ta në lagje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Zoran Vukotiq, gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me të pandehurin Guroljub Paunoviq, në cilësinë e reservistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë plaçkitur persona civilë shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë  e tyre.

Bazuar në aktakuzë, Vukotiq dhe Paunoviq, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Gjithmonë sipas aktakuzës, katër të lartpërmendurit fillimisht janë rrahur dhe maltretuar nga rezervistët serbë në prani të Sanije Fazliut dhe Fikrije Fazliut, ku më pas në prani të tyre nga një afërsi kanë shtënë me armë në gjoks në Enver Rrustollin, dhe pastaj vazhdojnë të shtënat me armë në kokë dhe në gjoks në tre personat e tjerë, Avdullah, Fahredin dhe Hamdi Fazliun, dhe nga ky veprim, sipas aktakuzës, dalin dhe largohen nga shtëpia.

Po ashtu, në kuadër të kësaj aktakuze, Zoran Vukotiq,  në bashkëkryerje, akuzohet se në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar, Sanije Fazliu, Fikrije Shaqiri, Vehbi Xhema, Zejnepe Xhema, Nexhmi Xeham, Besart Xhema, Zeliha Xhema, Behar Pllana, Luljeta Rashica, Gani Maxhera, Halim Maxhera, Gazmend Shabani, Ahbet Sahiti, Skender Shabani, Bejt Osmani, Shukrije Osmani dhe Faik Musa, të cilët sipas kësaj aktakuze, janë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat të dëmtuarit e lartcekur i bartin edhe sot./Betimi për Drejtsëi/