Lirohet nga burgu “bosi i drogës”, Naser Kelmendi

Lirohet nga burgu “bosi i drogës”, Naser Kelmendi

I akuzuari për trafikim ndërkombëtar të drogës, vrasje dhe krim të organizuar, Naser Kelmendi është liruar nga paraburgimi para pak çastesh, ka mësuar Insajderi.

Masa e paraburgimit, Kelmendit i është zëvendësuar me masën me të butë – arrest shtëpiak.

Vendimin për lirim nga paraburgimi e ka marrë trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Anna Adamska – Gallant.

Kelmendi akuzohet në nëntë pika të të aktakuzës së ngritur nga një prokuror special i EULEX-it. Prokuroria pretendon se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal për vrasjen e kryegangsterit rival Ramiz Delaliq- “Çelo”.

Këtë krim, sipas Prokurorisë e kanë kryer për të përfituar drejtpërdrejt ose tërthorazi dobi pasurore apo financiare.

Prokuroria pretendon se në vitin 2006 Naser Kelmendi ka bërë një numër takimesh me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë në Sarajevë. Pjesëmarrësit e këtyre takimeve sipas tij kanë formuar grupin kriminal të organizuar dhe strukturuar për të planifikuar, për të bërë komplotin dhe për të vrarë kryegangsterin rival, Ramiz Delaliq. Prokuroria pretendon se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, i pandehuri Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit.

Prokuroria ka thënë se vrasësi i njohur Strahinja Raseta me shokun dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, janë angazhuar me pagesë nga Naser Kelmendi dhe pjesëtarët e grupit të tij kriminal për të vrarë Ramiz Delaliqin.

“Më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23 e 30, Strahinja Raseta me ndihmën e Nebojsha Vukomanoviq kanë qëlluar disa herë mbi Ramiz Delaliqin, duke përdorur armë të ndryshme zjarri dhe duke vrarë atë. Pasi kthehet në shtëpinë e prindërve të tij në Sabac në Serbi, Strahinja Raseta dhe bashkëpunëtori i tij, Nebojsha Vukomanoviq janë paguar të paktën 100 mijë euro nga Naser Kelmendi dhe grupi i tij kriminal”, pretendon Prokuroria. “Vrasja është kryer edhe për hakmarrje për vrasjen e Selver Keliqit për të cilin i pandehuri dhe grupi kriminal bënin fajtor Ramiz Delaliqin”.

Prokuroria pretendon se Kelmendi në bashkëkryerje me Liridon Kelmendin, Haris Mehanoviqin, Sead Akeljiqin, Zeljko Boziqin, Hakija Krilecin, Ilir Kastratin, Arsim Kalacin dhe të tjerë ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar këtë grup kriminal të organizuar në posedimin e paautorizuar me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes së narkotikëve të rrezikshëm.

Të paktën nga viti 2000 deri në 2012, sipas aktakuzës, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin), K 2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe

Prokuroria pretendon se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me pilura ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll.

Atje, sipas Prokurorisë, ekstazia është shkëmbyer për heroinë dhe droga tjera. Droga e pranuar në Stamboll pastaj transportohej përsëri përmes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës dhe pastaj dërgohej dhe shitej tek tregtarët dhe shpërndarësit nëpër Evropë.

Naser Kelmendi akuzohet se rreth muajit shkurt 2003, vazhdimisht ka kontaktuar me K2 dhe i ka kërkuar atij të transportojë heroinë në Angli. Prokuroria thotë se K2 ka fluturuar për në Turqi, ka marrë 50 kilogramë heroinë të bardhë nga një person i quajtur Hakija Kreliq në Bosnjë-Hercegovinë.

Shoferi i K2, Sead Akeliq, pastaj sipas aktakuzës e ka transportuar heroinën nga Tuzla për në Sarajevë me qëllim që të dorëzonte paketat siç ishte udhëzuar nga Kreliq tek një person i quajtur Asmir Kalac.

“Pas pak kohësh, Kalac i kishte kërkuar K2 të vinte vetë në Sarajevë, ku K2 ishte takuar me Kalacin dhe Naser Kelmendin, i cili informoi K2 se 50 kilogramët e heroinës së bardhë që K2 sapo kishte dorëzuar në Turqi i përkisnin atij”, shkruan në aktakuzë.

I pandehuri Naser Kelmendi akuzohet se në bashkëkryerje me të tjerë ka eksportuar-importuar 50 mijë tableta ekstazi.

Sipas aktakuzës, pasi ishte kryer transporti i 50 kilogramëve të drogës, Naser Kelmendi nga fillimi i vitit 2003, K2 kishte pranuar përmes Asmir Kalacit – bashkëpunëtor i të pandehurit Naser Kelmendi për të koordinuar transportin e 50 mijë tabletave ekstazi për në Turqi. Shoferi i K2, Sead Akeljiq, thuhet se e ka transportuar drogën nga Bosnja në Turqi me një ndarje të fshehtë në rezervuarin e lëndës djegëse të formuar nga mekaniku Zejko Boziq.

Naser Kelmendi akuzohet se në bashkëkryerje me të tjerë ka tregtuar 100 mijë tableta ekstazi. Prokuroria thotë se dëshmitari K2 ka rregulluar transportimin e 100 mijë tabletave tjera ekstazi për në Turqi në emër të Naser Kelmendit.

“I pandehuri Naser Kelmendi ka arritur me burrat e tij dhe 100 mijë pilulat ekstazi tek një garazh në Sarajevë ku K2 kishte modifikuar rezervuarin e “Mercedesit” të tij nga mekaniku Zeljko Boziq, ku ishte ndërtuar një ndarje speciale e veçantë për të vendosur drogën. Nën mbikëqyrjen e të pandehurit Naser Kelmendi, ekstazia është ngarkuar në “Mercedesin” e K2 dhe pastaj është transportuar për në Turqi nga vozitësi i besuar i K2, Sead Akeljiq”, thuhet në aktakuzë.

Në pikën tetë Naser Kelmendi akuzohet se në bashkëkryerje ka trafikuar 25 kilogramë heroinë nga Turqia për në Bosnjë-Hercegovinë. Aty thuhet se pas dorëzimit të tabletave ekstazi për në Turqi, rezervuari i ndryshuar i lëndës djegëse i “Mercedesit” të K2 që kishte bartur tabletat, ishte mbushur me 25 kilogramë heroinë në drejtim të Naser Kelmendit dhe grupit të organizuar kriminal. Kjo heroinë sipas Prokurorisë është transportuar përsëri nga Sead Akeljiq nga Turqia për në Tuzla të Bosnjës.

Akuza 8 e akuzon atë po për shitjen e mbi 25 kilogramëve heroinë. Ndërsa akuza 9 e ngarkon Kelmendin për prodhim të drogës. Prokuroria thotë se K2 ka sjellë kamionin nga Austria për në Sarajevë ku i pandehuri Naser Kelmendi ka mbikëqyrur procesin e transportimit të mbi 2 tonëve acid anhidrid me një numër të madh fuqish të kaltra. Ky acid thuhet se është përdorur për procesin e larjes së heroinës me qëllim që të rritet niveli i pastërtisë dhe përfundimisht të bëhet e ashtuquajtura heroina e bardhë, një formë shumë e koncentruar e drogës.

Kelmendi i ka mohuar të gjitha këto pretendime./Insajderi.com