Lista me 20 ish-pjesëtarët e UÇK-së të kërkuar nga Serbia përmes Interpolit

Lista me 20 ish-pjesëtarët e UÇK-së të kërkuar nga Serbia përmes Interpolit

Ramush Haradinaj është i vetmi kryetar i ndonjë partie politike në Kosovë i cili aktualisht është i kërkuar nga Serbia përmes Interpolit.

Insajderi ka siguruar listën e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund të përballen me situatën e njëjtë si të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili tash e disa ditë po mbahet në ndalim në Francë pasi u arrestua bazuar në një urdhëarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Në këtë listë, përveç ish-komandantit nga zona e Dukagjinit janë edhe Azem Syla, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Shukri Buja, aktualisht deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, në këtë listë nuk bëjnë pjesë liderët e tjerë të institucioneve shtetërore apo partive politike, të cilët kanë qenë pjesë e UK-së

Në këtë listë, përveç Haradinajt, Sylës e Bujës, bëjnë pjesë edhe Tomor Morina, Sinan Morina, Fadil Kastrati, Murtez Kastrati, Ardian Duraku, Vitor Zefaj, Besim Vokshi, Mahmut Ukshini, Fadil Suljeviqi, Sylë Qeriqi, Qamil Pajaziti, Shpejtim Demiri, Azem Olluri, Muharrem Gashi, Bujar Bobani, Rabit Aliji dhe Faruk Noshaj.

“Ne e dimë se Policia e Kosovës i ka kërkuar me 16 dhjetor të vitit të kaluar INTERPOL-it, që t’i largojë ish-pjesëtarët e UÇK-së nga kjo listë. Realisht ka rezultuar që prej atyre 157 që po flitet, vetëm 20 kanë mbetur në këtë listë”, ka thënë pë Insajderin zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa.

Ai ka sqaruar se lista prej 157 ish-pjesëtarëve të UÇK-së ekziston vetëm në Serbi dhe urdhër-arresti aplikohet vetëm brenda territorit të këtij shteti.

“Në vitin 2003, Serbia e ka botuar Librin e Bardhë, në këtë libër ka paraqitur 157 ish-ushtarë të UÇK-së që kinse kanë kryer krime ndaj serbëve”, ka thënë Mustafa.

Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës për rreth 100 ditë në vitin 2004, është arrestuar të mërkurën nga policia kufitare në Francë, bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Ai vazhdon të mbahet në ndalim, deri në momentin kur Serbia të dërgojë një kërkesë zyrtare për ekstradim tek autoritetet franceze.

Haradinaj ishte arrestuar edhe më herët në Slloveni.

Ai ishte gjykuar për krime luftë nga Tribunali i Hagës por është shpallur i pafajshëm.

Arrestimi i tij ka nxitur reagim në Kosovë. Të premten është mbajtur një protestë në Prishtinë për lirmin e tij, ndërsa për të shtunën është paralajmëruar një e tillë edhe në Francë.

Në ndërkohë, me kërkesë të AAK-së, kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet që të vendosë sot për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme./Insajderi.com