Lista e kandidtavëve të nominuar për ministra në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Lista e kandidtavëve të nominuar për ministra në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Kompletohet lista e kandidatëve të nominuar për eshalonin e parë në Qeveri, njofton Insajderi.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kandiduar Jeton Shaqirin nga dega e Strugës për ministër të shoqërisë informative dhe administratë publike, dikaster ky që kishte ngelur i vetmi i zbrazët dhe kishte pasur nevojë për konsultime shtesë brenda strukturave partiake.

Por, edhe përkundër kompletimit të listës së ministrave dhe zëvendës-kryeministrave nga të gjithë partnerët pjesëmarrës në koalicionin e ri, ende mbetet pezull mbajtja e seancës parlamentare për votimin e kabinetit qeveritarë dhe programit të Qeverisë.

Zyrtarisht, kryetari i Kuvendit që dje u rizgjodh për herë të dytë në këtë post, Talat Xhaferi, ende nuk ka caktuar datën për seancën në të cilën do të zgjidhet Qeveria e re.

Në këtë Qeveri, BDI do të ketë gjashtë ministra dhe një zëvendës kryeministër. Artan Grubi është propozuar për ministër i Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, që zëvendësoi sekretariatin për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa njëkohësisht do të jetë edhe zëvendës kryeministër i parë i Qeverisë. Me Ministrinë e Financave BDI ka propozuar të udhëheqë ministri i dikurshëm i Ekonomisë, Fatmir Besimi, me ministrinë e jashtme Bujar Osmani, ministrinë e ambientit, Naser Nuredini dhe në ministrinë e ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Partnerët e koalicionit ende nuk kanë ndarë pozicionet në eshalonin e dytë ku bëjnë pjesë zëvendës ministrat dhe sekretarët shtetëror nëpër ministri të ndryshme.

Përveç posteve në ekzekutiv, BDI ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Kuvendit ku dje u rizgjodh Talat Xhaferi. Ditë më parë ka pasur reagime të strukturave lokale të BDI-së në Çair dhe Saraj, ndaj listës së propozuar të funksionarëve të kësaj partie. Konkretisht pakënaqësitë janë drejtuar ndaj nominimit të Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, ndërsa këtë revolt u tha se në organet partiake e kanë përcjellur edhe dy deputetët, Izet Mexhiti dhe Arben Ziberi.

Mosmarrëveshjet rreth listës së ministrave u përmendën edhe si shkas për zvarritjen e seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e cila u caktua për të premten edhe përkundër paralajmërimit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se do të mbahej të enjten.

Në zgjedhjet e 15 korrikut BDI fitoi 15 deputetë, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa 12 deputetë. Këta të fundit kanë kontestuar legjitimitetin e BDI-së duke akuzuar për manipulime zgjedhore, vjedhje dhe blerje të votave. /Insajderi.com