Lista Serbe deklarohet pas lëshimit të seancës kur u miratua rezoluta për Srebrenicën

Lista Serbe deklarohet pas lëshimit të seancës kur u miratua rezoluta për Srebrenicën

Lista Serbe ka sqaruar refuzimin e saj për të qëndruar në seancën plenare derisa u votua propozim-rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, duke thënë se kjo rezolutë e ngritur nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë, në mënyrë të njëanshme po sulmon popullin dhe shtetin serb, njofton Insajderi.

Derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin gati të votonin pro kësaj propozim-rezolute, Lista Serbe u larguan nga seanca në kohën kur nisën fjalimet për këtë projekt-rezolutë.

Me anë të një komunikate, kjo parti thonë se rezoluta cenon marrëdhëniet ndëretnike dhe rajonale.

Sipas këtij subjekti politik, që ajo e quan fatkeqësisht, gjithçka nisi në Mal të Zi javë më parë kur po ashtu u votua një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ku më 11 korrik 1995 forcat ushtarake serbe të Bosnjës, vranë mbi 8.000 burra myslimanë të paarmatosur.

Në njoftimin e tyre, Lista Serbe thotë se është e turpshme që institucionet në Prishtinë, kurrë nuk flasin për “krimet ndaj serbëve”.

“Rezoluta, e propozuar nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë në mënyrë të njëanshme, pa asnjë bazë, sulmon popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike, pa thënë asnjë fjalë për vuajtjet e serbëve, qoftë në Bosnjë, Kroaci ose Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Më tej kjo parti thotë se shteti i saj është Serbia.

“Padyshim, zhurma dhe histeria e organizuar kundër popullit dhe shtetit serb pas kaq shumë vitesh, e cila për fat të keq filloi nga Mali i Zi, është ekskluzivisht produkt zilie për shkak të forcimit të përditshëm të shtetit tonë në ekonomi, politikë, ushtari, shëndetësi dhe çdo fushë tjetër”, thuhet tutje në komunikatë. /Insajderi.com