Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) e ka gjobitur me 25,000 euro Listën Serbe për shkak të një video-inçizimi të publikuar gjatë fushatës zgjedhore, ka njoftuar sot Lista Serbe.
Paneli zgjedhor vendosi që ta ndëshkojë Listën Serbe për shkak se videoja e publikuar “përmbante mesazhe kërcënuese kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe funksionimit të plotë të shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ruajtjen e institucioneve serbe në Kosovë, ndërsa Kosovën e kanë quajtur ‘Kosovë dhe Metohi'”.
Sipas PZAP-së, video-mesazhi i Listës Serbe nxiste kundërshtime ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Lista Serbe mbajti sot në tubimin përfundimtar të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit, njofton gazeta Online Insajderi.
Lista Serbe ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme të Kosovës për këtë gjobitje. /Insajderi.com