Lista Serbe është gjobitur me 20 mijë euro si shkak i thyerjes së heshtjes zgjedhore më 29 nëntor, derisa u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën Veriore, njofton Insajderi.
Gjobën ky subjekt politik obligohet ta paguaj brenda 15 ditëve.
Kështu bën të ditur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në vendimin e publikuar në web-faqen e tyre.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, bashkë me deputetin e këtij subjekti politik, Igor Simiq, përmes një konference për media, kishin thyer heshtjen zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të dilnin në mënyrë sa më masive në zgjedhje e ta votonin kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.
Për këtë veprim të Listës Serbe, ankesën në PZAP e kishte paraqitur Lëvizja Vetëvendosje. /Insajderi.com