Lista Serbe kërkon që Vidovdani të futet në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë

Lista Serbe kërkon që Vidovdani të futet në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë

Komisioni për Administratë Publike ka shqyrtuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare në Kosovë.

Lista Serbe ka kërkuar që në Ligjin për festat zyrtare të futet 28 qershori që njihet si festa e Vidovdanit, transmeton ksp.

Mirëpo, këtë e kanë kundërshtuar anëtarët e Komisionit. Deputeti Milaim Zeka këtë kërkesë e ka quajtur fyese për shqiptarët.

“Nuk kam kurrgjë kundër festave serbe. Vetëm sa nuk kemi bërë festë për syneti. VV dhe Lista Serbe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Është shumë provokative dhe tepër fyese për shqiptarët që jetojnë në Kosovë kur bashkëqytetarët e tu vijnë në Kosovë me fotografi të Millosheviqit. Ju na i keni vra një numër të madh të qytetarëve edhe ne pak. Nuk kemi pas mujt më shumë se suxhuk iu kishim bë”, tha ai.

Deputeti i VV Adem Mikullovci i ka kthyer përgjigje Zekës duke thënë se nuk është e hijshme që të bëhet krahasimi me Listën Serbe.

“Nuk është aspak e hijshme me e krahasua Vetëvendosjen me Listën Serbe. Nuk e votoj i gjallë”, tha ai.

Megjithatë Milaim Zeka, tha se nuk e ka krahasuar por ka thënë se as VV nuk i respekton simbolet e Kosovës.

“VV nuk e respekton himnin e Kosovës, nëse ti e ke marrë ashtu kërkoj falje”, tha ai.

Edhe deputeti i AAK, Rasim Selmanaj e ka kundërshtuar futjen e 28 qershorit si festë zyrtare.

“Kolegia nuk ka pse të ndihet keq. Ne po e kundërshtojmë 28 qershorin se ngjallë debat. Ky debat po është në suaza normale. Edhe unë personalisht nuk e përkrahi që 28 qershori të jetë festë”, tha ai. Në fund ky projektligj i është dërguar për seancë me rekomandimin që të hiqet festa e 28 qershorit.