Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka është deklaruar rreth liturgjisë së mbajtur sot në Kishën serbe, e cila gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, njofton Insajderi.
Pas reagimeve të shumta në opinionit publik, si nga opozita edhe nga shoqëria civile e organizata të ndryshme, ministri Çeku tha se policia nuk ishte e njoftuar për mbajtjen e kësaj ngjarje.
Sipas Çekut, prona ku është vendosur struktura e papërfunduar është në procedurë kontestimore, ku paditës është UP, andaj asnjëra palë nuk guxojnë të ushtrojnë presion mbi institucionet e drejtësisë.
“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, thotë Çeku.
“Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, thuhet në shkrimin e publikuar nga Çeku në Facenook.
Ministri I Kulturës thotë se liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional, por sipas tij, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. /Insajderi.com