LIVE – Konstituohet Kuvendi, Glauk Konjufca kryetar

Po mbahet seanca konstituive për legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë janë gjithsej 114 deputetë të zgjedhur nga të gjitha partitë, 36 prej të cilëve janë zgjedhur për herë të parë të përfaqësojnë popullin. Seanca ka filluar në orën 10:30, me 30 minuta vonesë, ndërsa pritet që pas përfundimit të saj të votohet Qeveria e re. Më poshtë muns të lexoni gjithçka po ndodhë sot gjatë kësaj seance.

LIVE – Konstituohet Kuvendi, Glauk Konjufca kryetar

12:05 ⌚ – Osmani i dorëzon mandatin Kryeparlamentarit të ri – Konjufca paralajmëron seancë për formimin e Qeverisë pas disa ore

Kryeparlamentarja e deritanishme e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka bërë dorëzimin e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit, te kryetari i sapozgjedhur, Glauk Konjufca.

Këtë dorëzim-pranim Osmani dhe Konjufca e bënë menjëherë pas përfundimit të seancës ku u konstituua Kuvendi i ri.

“Pas votimit të suksesshëm në Kuvendin e Kosovës, kam nderin që të ia dorëzojë mandatin e kryeparlamentares”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, pas pranimit të kësaj pozite, Konjufca u pyet për seancën e radhës ku do të mandatohet kryeministri i ri i Kosovës, ai e la të hapur mundësinë që kjo të ndodhë pas disa ore.


11:53 ⌚ Kryeparlamentari Konjufca përmbyll seancën konstituive

Kryetari i ri në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbyllur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas mbajtjes së fjalimit të parë në krye të tempullit të demokracisë.

Konjufca mori 69 vota të deputetëve për ta marrë detyrën si prirës i institucionit ku përfaqësohet populli.

Për këtë gjatë fjalimit ai tha të gjithë deputetët janë burim i popullit.

“Unë nuk do t’i shikojë deputetët të kësaj apo asaj parti, por si përfaqësues të popullit ashtu siç jemi”, tha Konjufca.

Për seancën e radhës rreth formimit të Qeverisë, Konjufca tha se publiku do të informohet me kohë.


11:45: ⌚Saranda Bogujevci, Bedi Hamza, Kujtim Shala janë nënkryetar të Kuvendit

Saranda Bogujevci nga Levizja Vetëvendosje, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala do të jetë nënkryetar nga Lidhja Demokratike të Kosovës

Me 107 vota pro e gjashtë vota kundër Kuvendi i Kosovës iu besoi ketë detyrë, Bogujevcit, Hamzës dhe Shalës.

Më parë, 69 deputetë votuan që Glauk Konjufca të shpallet kryeparlamentar i Kosovës.

Kjo legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, PDK 19, LDK 15, AAK 8.

 


11:33 ⌚ Glauk Konjufca zgjedhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës me gjithsej 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Konjufca i cili është njëri ndër të zgjedhurit e popullit në zgjedhjet e 14 shkurtit, u zgjedh kryeparlamentar pas kandidaturës që e dha Adnan Rrustemi në emër të partisë së tij, në seancën konstitutive të legjislaturës së tetë.

Kandidatura e VV-së është bërë e ditur edhe më parë.

Nënkryetarja e deritanishme e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, në një intervistë televizive ditë më parë kishte thënë se përveç kandidaturës së Konjufcës, edhe pesë gra pritet të udhëheqin me ministri, ndër to edhe atë të Punëve të Jashtme.


11:29 ⌚ Betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kosovës kanë dhënë betimin në seancën konstitutive të legjislaturës së tetë.

Në Kuvendin e Kosovës janë të pranishëm 114 deputetë.

“Unë deputet i Kuvendit të Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin. Do të punoj ne interes të Kosovës dhe gjithë qytetarëve tonë. Do të angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe  të ligjshmërisë si dhe mbrojtjen  e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në përputhje me ligjet e vendet dhe standardet evropiane”, thuhet në betim

Këtë betim gjashtë deputetët që munguan mund ta kryejnë në seancën e radhës.


10:57 ⌚ – Kuvendi shkon në pushim për 20 minuta

Kuvendi i Kosovës ka shkuar për 20 minuta në pauzë.

Kjo pauzë në seancën konstituive të Kuvendit të ri erdhi pas formimit të Komisionit të Përkohshëm Verifikues për mandatin e deputetëve.

Ky komision do të mblidhet dhe do të vazhdojë punën të cilën do ta shpalos pasi të kthehen në seancë.


10:53⌚- Formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e mandatëve të deputetëve

Është formuar Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandatit të deputetëve, me 114 vota pro, asnjë kundër dhe pa abstenim.

Përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision është, Adnan Rrustemi.

Ganimete Musliu është anëtare e këtij komisioni të përkohshëm nga Partia Demokratike e Kosovës.

Besian Mustafa do të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është Time Kadriaj.

Zoran Mojsilovic do të jetë përfaqësues i Listës Serbe.

Ndërsa nga komunitetet pakicë joserbe janë: Fidan Jilta, Elbert Krasniqi, Bahrim Sabai, Erxhan Galushi, Fadil Gashi, Duda Balje, Bekim Arifi, Emilija Redzepi, Adem Hodza.


10:33 ⌚ – Nis seanca konstituive e Kuvendit të ri të Kosovës

Ndonëse me disa minuta vonesë, ka nisur seanca konstituive e kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.

Në këtë seancë pritet që deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit të betohen dhe t’i marrin zyrtarisht mandatet e përfaqësuesve të popullit.

Kjo seancë po udhëhiqet nga dy deputetët e zgjedhur, njëri më i vjetri nga mosha dhe tjetri më i riu, që në këtë rast janë Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Adelina Grainca nga Partia Demokratike e Kosovës.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të zgjidhet kryetar i organit më të lartë ligjvënës të shtetit. /Insajderi.com