LIVE – Kosova në zgjedhje

Në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në këto zgjedhjet janë certifikuar 28 subjekte politike dhe mbi një mijë kandidatët për deputetë. Të drejtë vote kanë afër një milionë e 800 mijë qytetarë. Votimi ka filluar në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Më poshtë mund të lexoni gjithçka po ndodhë sot në procesin zgjedhor.

LIVE – Kosova në zgjedhje


⌚Kurti: U vërtetua se këto zgjedhje ishin referendum

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosjes se u vërtetua se këto zgjedhje ishin referendum.

Albin Kurti i cili pritet të jetë kryeministër i Kosovës, tha se gjatë rrugës mund të bëjnë ndonjë gabim, por qëllimin e kanë të mirë.

Kurti ka falënderuar të gjithë ata që u angazhuan në fushatën zgjedhore.

Falënderoi edhe kundërshtarët politikë, duke iu dëshiruar reformim rrënjësor.

“Kosovës i duhet opozitë që e mbikëqyrë Qeverinë”, tha Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, shprehi mirënjohje për diasporës që sipas tij shpenzuan shumë para e udhëtuan me mijëra kilometra për të votuar.

Gjatë konferencës për media bashkë me Vjosa Osmanin, ai uroi të qytetarët për rezultatin që e ka arritur Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Kurtit kjo fitore është e të gjithëve.

⌚ Osmani: Ky s’është mandat për hakmarrje, por mandat ku do të luftohet korrupsioni

Kandidatja për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë të përbashkët me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, pas përfundimit të procesit zgjedhor, njofton Insajderi.

Në këtë adresim për media, Osmani ditën e sotme e quan moment historik dhe se mandati që pritet të merret nga ta, nuk është mandat për hakmarrje, por një mandat në të cilin do të luftohet për korrupsioni.

“Sot dita e bardhë që paralajmërua në mëngjes u shndërrua edhe në natë të bardhë. Sot vota juaj, zëri juaj, kumboi si kurrë më parë. Duke qëndruar përpara jush në këtë moment historik jemi të vetëdijshëm për besimin e madh që na keni dhënë. Bashkë me ju po shënojmë historin. Ky asessi nuk është një mandat për hakmarrje, por një mandat ku e garantojmë mirëqenien, e luftojmë korrupsionin. Kjo qeveri do të jetë qeveria juaj dhe zëri juaj”, ka thënë ajo.

“Qytetarët e Kosovës e dijnë kur është mjaft dhe kur është koha për një kapitull të ri. Kjo është fitore jonë por së pari është e juaja. Do të punojmë që të rikthejmë institucionet të cilat e japin shpresën që politika do të jetë në shërbim të qytetarëve. Institucionet e reja të udhëhequra nga koalicioni ynë do të jenë të udhëhequra nga njerëz me integritet”.

“Puna e vërtetë fillon sot. Fillon puna për ndryshimin, për ringritjen nga pandemia, për mirëqenien e shëndetësinë, për të na bashkuar për një të ardhme më të mirë. Do të jetë nder të qeverisim me një kryeministër që punon për këtë vend, do të jetë nder të qeverisim bashkë krah për krah me SHBA-të”.

“Pa ju ky moment nuk do të ishte i mundur”.

“Rrugëtimi përpara nuk do të jetë i lehtë, do të jetë me shumë sfida e shumë kthesa, jemi të vetëdijshëm që për ndryshimin që po flasim do të na duhet kohë për ta arritur, por që ka shpresë se do të arrihet”, është shprehur tutje Osmani.


Hoti: Marr përgjegjësinë e plotë për këto rezultate

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, njëherësh edhe kandidat për këtë post në zgjedhjet e sotme parlamentare, ka mbajtur konferencë pas procesit zgjedhor, ku ka pranuar rezultatet preliminare të publikuara deri më sot.

Në këtë adresim për media, Hoti tha se këto rezultate janë tjera prej atyre të cilat i kanë pritur partia prej nga vjen, duke shtuar se e merr përgjegjësinë e plotë për këto rezultate.

“Ju falënderoj për besimin e dhënë, sigurisht rezultatet preliminare tregojnë që janë tjera nga ato që kemi pritur, prandaj para jush shprehem qartë se e marr përgjegjësinë e plotë për këto rezultate”, ka thënë Hoti.

“Jam mirënjohës për mundësinë që më është dhënë për t;I shërbyer qytetarëve. Si kryeministër në detyrë do të kujdesem që të qeverisim në detyrë deri në mbarëvajtjen e një qeverie të re”, shtoi tutje ai.


 PDK e pranon humbjen, por nuk përfshihet në Qeverinë e Vetëvendosjes

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës e ka pranuar humbjen, duke uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren.

Por, Hoxhaj, tha se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë së Vetëvendosjes.

“Ne kemi dallime shumë të thella ideologjike me VV-në”, tha ai.

Hoxhaj ka falënderuar të gjithë anëtarët e PDK-së për fushatën zgjedhore.

Shtoi gjatë konferencës për media se kjo fushatë nuk ka qenë aspak e lehtë.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 17.56% të votave kur janë numëruar mbi 75% të votave.

PDK E PRANON HUMBJEN, POR NUK NUK PËRFSHIHEN NË QEVERINË E VETËVENDOSJES

PDK e pranon humbjen, por nuk përfshihet në Qeverinë e Vetëvendosjes


Elezi në konferencën e fundit për sot, njofton për më të rejat nga KQZ

Komisioni Qendrori Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e fundit për sot, ku ka kërkuar nga qytetarët që t’i referohen faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për t’u informuar lidhur me më të rejat nga zhvillimet e sotme sa i përket zgjedhjeve nacionale.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, në konferencën e pestë të mbajtur sot tha se numërimi i fletëvotimeve është duke vazhduar, ndërkaq edhe pse nuk do të ketë një paraqitje të radhës, anëtarët e KQZ-së do të vazhdojnë të jenë në këtë komision deri në përfundim të procesit të numërimit.

Deri më tani janë numëruar më shumë se 70 për qind e votave.

“Numërimi i fletëvotimeve është duke u vazhduar, deri më tani ka shkuar deri më shumë se 70 për qind. Nuk do të kemi një paraqitje tjetër të radhës, poashtu ju njoftoj se anëtarët e KQZ-së do të vazhdojnë të jenë në institucion deri në përfundim të procesit të numërimit”, ka thënë Elezi.


 Reuters shkruan për zgjedhjet në Kosovë: “Dy parti opozitare të parat në garë”

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit po zënë vend edhe te mediet ndërkombëtare.

Së fundmi për këto zgjedhje të cilat u mbajtën në mënyrë demokratike dhe pa incidente, ka shkruajtur e përditshmja amerikane ‘Reuters’, e cila thotë se rezultatet e hershme kanë treguar se fitorja si duket i takon partisë opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa vendi i dytë në këto zgjedhje pritet të rezervohet nga një tjetër parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

“Rezultati i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili u bazua në 46% të votave të numëruara, tregoi Vetëvendosjen në krye me 48%, ndërsa një parti tjetër e opozitës Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parashikohet të vijë e dyta me 18.3% të votave”, thuhet në këtë artikull.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në pushtet (LDK) parashikohet të vijë e treta me 13.7%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) parashikohet të fitojë 8.2%”, shkruan ‘Reuters’, transmeton Insajderi.

Sipas rezultateve paraprake, Vetëvendosje nuk pritet të sigurojë shumicën e 61 vendeve në parlament dhe do të duhet të gjejë një partner të koalicionit për të formuar një qeveri.


Festë në Gjakovë: Mimoza Kusari-Lila prin në valle

Kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, po pret përfundimin e rezultateve më ndryshe sesa kandidatët e tjerë, transmeton Insajderi.

Me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shihet se Kusari-Lila i është gëzuar këtyre zgjedhjeve, përfundimin e të cilave po e feston duke kërcyer valle në hapësirë publike.

Ndonëse ende nuk kanë dalë rezultatet e fundit, deri më tani njoftohet se partia në listën e të cilës bën pjesë Kusari-Lila, LVV, po prinë me 46.65 për qind të votave.

E dyta në renditje është Partia Demokratike e Kosovës me gjithsej 18.77%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e treta me 13.77 për qind.


Nis publikimi i rezultateve preliminare, prin LVV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisë të publikojë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme nacionale, në të cilat po prin Lëvizja Vetëvendosje.

Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të KQZ-së, me 15 mijë e 307 vota të fituara, Lëvizja Vetëvendosje po renditet e para në shumicën prej komunave të Kosovës.

Ajo është pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila me gjashtë mijë e 875 vota, po renditet e dyta në këtë garë.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës me katër mijë e 992 vota, ka dalë e treta në rezultatet e para të këtyre zgjedhjeve.


 KQZ jepin detajet e fundit për zgjedhjet: Kosova dha shembull se si duhet organizuar zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e katërt për media gjatë ditës së sotme kur u mbajtën edhe zgjedhjet e parakoshme parlamentare, kanë dhënë detajet e fundit për garën e sotme zgjedhore, njofton Insajderi.

Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka në këtë konferencë ka bërë të ditur se numri i votuesve në këto zgjedhje është më i vogël se ai zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019.

Daka tutje njoftoi se zgjedhjet e sotme kanë treguar një shembull se si duhet të organizohen ato, ndërsa nga ky moment ka filluar edhe afati 24-orësh për ankesa dhe parashtresa për partitë politike.

“Sot Kosova tregoi shembull se si duhet të organizojë zgjedhje pavarësisht situatës së krijuar nga poandemia”.

“Njofton se nga ora 19:00 ka filluar afati 24-orësh për ankesa dhe parashtresa për të gjitha partitë politike”.


Shpend Ahmeti uron Vetëvendosjen

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren sipas projeksioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ahmeti, tha se VV ka legjitimitet të plotë në katër vitet e ardhshme.

“Urime Lëvizjes dhe urime qytetarëve për edhe një palë zgjedhje demokratike”.

“Shpresojmë se do të kenë mundësinë të ballafaqohen me problemet reale dhe të mëdhaja që i ka në këto momente Republika e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.


Mbi 800 mijë qytetarë kanë votuar sot

Të dhënat aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se 802 mijë e pesë persona kanë dalë të votojnë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e fundit në faqen e KQZ-së, nga një milion e 794 mijë e 862 votues në listën e votuesve, bazuar në përqindjen prej 91,50% të përditësuar deri më tani, mbi 800 mijë persona u janë drejtuar kutive të votimit.

Përqindja është më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit të vitit 2019.

Në orën 19:00, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit.


Publikohet EXIT-POLL’i i Albanian Post, Lëvizja Vetëvendosje e para me 53%

Me rezultatin e EXIT POLL të Albanian Post, Lëvizja Vetëvendosje në legjislaturën e ardhshme do të ketë 55 deputetë, meqë del se fiton 53% të votës shqiptare.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, gjithmonë sipas rezultatit të EXIT POLL-it, do të ketë 21 ulëse në Kuvend, meqë ka fituar 20% të votave.

E treta, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 17% të votave merr 17 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7% të votave merr 7 ulëse.

Derisa Nisma Socialdemokrate mbetet me pa asnjë, meqë nuk kalon pragun.


Elezi: Ka fletëvotime të mjaftueshme, askush s’do të mbesë pa votuar

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë një sqarim lidhur me mungesën e fletëvotimeve në disa nga qendrat e votimit, njofton Insajderi.

Elezi thotë se nuk ka asnjë problem sa i përket kësaj çështje, ndërsa shtion se ka fletëvotime rezervë për të gjitha pikat të cilat mund të kenë mungesë.

“Ka fletëvotime rezervë, dhe askush nuk do të mbesë pa votuar”, ka thënë Elezi në një lidhje direkte për RTK-në.

Ndonëse nuk përmendi një kohë të saktë, Elezi shtoi se shumë shpejt do të dalin rezultatet preliminare në faqen zyrtare të KQZ-së.

“Besojmë që shumë shpejt do t’i kemi rezultatet preliminare, në faqen e KQZ-së, qytetarët kohë pas kohe do të mund ta shohin procesin e numërimit”, ka thënë Elezi. 


DnV: Deri në orën 16:00 dalja e qytetarëve në votim është 37,03%

Procesi i votimit në të gjithë vendin është duke vazhduar edhe në këto orët e fundit që kanë mbetur.

I tërë ky proces është duke u vëzhguar nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 16:00, kanë votuar 37,3% e qytetarëve, krahasuar në të njëjtën periudhë kohore më vitin 2019 është më e lartë.

Prishtina dhe Ferizaj kanë daljen më të madhe të votueseve mbi 40%, ndërsa në komunat me shumicë serbe dalja vazhdon të mbetet më e lartë me mbi 50%.

Rajoni i Prizrenit sipas DnV-së vazhdon të mbetet me daljen më të ulët.


Vdes një 81 vjeçar brenda qendrës së votimit në Kaçanik

Një i moshuar, rreth moshës 81 vjeçare, ka vdekur derisa ishte duke votuar në shkollën e fshatit Biqec të Komunës së Kaçanikut.

Sipas dëshmitarëve, viktima ka vdekur brenda qendrës së votimit.

Ai ishte i shoqëruar nga djali i tij, ndërsa nuk dihet se çka e ka shkaktuar vdekjen e tij.

I ndjeri kishte ardhur nga Shkupi për të votuar në Kaçanik, u raportua nga RTV Dukagjini.

Drejtori i shkollës “Jusuf Gërvalla”, Kemal Dullovi, ka dhënë detaje lidhur me rastin.

“Unë isha rastësisht te vendvotimi numër një. Në atë moment isha aty, ku personi duke e marrë fletëvotimin ka rënë për mbrapa. Menjëherë djali i tij, me disa persona tjerë e kanë dërguar në veturë, ndërkaq pas 10 ose 15 minutave jemi informuar se ai person ka ndërruar jetë. I njëjti ka kërkuar ndihmë për me gjet emrin e vet, ai ka qenë shumë mirë. Mund të ketë qenë ndonjë sulm apo diçka e tillë. Rasti ka ndodhur shpejt, djali i tij ka reagu menjëherë. Përndryshe personi me vendbanim është në Shkup dhe ka ardhur për me votu”, tha Dullovi.


Mbi 32% e qytetarëve votojnë deri në orën 15:00, votohet edhe me letërnjoftim të skaduar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se 32.32 për qind të personave që kanë të drejtë vote, kanë votuar deri në orën 15:00 në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, në konferencën e mbajtur pas orës 15:00.

Përkthyer në vota, i bije që deri në orën 15:00 kanë votuar 568 mijë e 124 votues.

Daka u sqarua edhe për lejimin e votimit të personave me letërnjoftim me afat të skaduar, për çka tha se një ndër shkaqet kryesore është pandemia.

“Arsyetimi është që nuk kanë mundur për shkak të pandemisë meqë nuk janë lëshuar dokumente, nuk kanë arritur të marrin dokumentet e reja”, ka thënë Daka.

Ajo më tej ka njoftuar se lista e votuesve në këto zgjedhje është më e vogël krahasuar me atë të zgjedhjeve të kaluara për 140 mijë votues më pak.

“140 mijë qytetarë më pak janë në listën votuese krahasuar me zgjedhjet e kaluara, prandaj edhe përqindjet e daljeve në zgjedhje janë më të larta”, ka thënë ajo.

KQZ do të ketë edhe një konferencë të katërt në orën 19:30 ku do të tregojë për numrin përfundimtar të daljes në zgjedhje.


DnV: Deri në orën 13:00 kanë votuar 19.8% e votuesve

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” me qëllim të informimit të rregullt të publikut mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 13:00, dalja e qytetarëve në votim në nivel vendi është raportuar të jetë 19.8% (margjina e gabimit 0.52%), njofton Insajderi.

Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2% më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, dalja në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë sillet në kuadër të mesatares së përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar dalje më të ulët për 2% ndërsa dalja në Prizren është edhe më e ulët përkatësisht 4% më e pak se mesatarja në nivel vendi. Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10% mesataren e daljes në nivel vendi.

Respektimi i masave kundër COVID19 gjatë votimit

Deri në ora 13:00, në 26% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 gjatë votimit, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

Në 41% të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 27% të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës.

Parregullsitë më të shprehura

Deri në orën 13:00, në 92% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide. Ndërsa në vetëm 7% të vendvotimeve kjo parregullësi është hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste).

Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit

Deri në orën 13:00, në 45% të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 48% të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste.

Votimi me asistencë

Deri në orën 13:00, në 62% të vendvotimeve është raportuar për votim me asistencë e cila është regjistruar në Librin e Votimit (deri në 10 raste). Ndërsa, raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat është evidentuar në 12% të vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Fotografimi i votes

Deri në orën 13:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 4% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste).

Incidente serioze

Është raportuar për një incident në vendvotimin 1708C/04R, ku dy komisionerë janë larguar për të votuar dhe nuk janë kthyer për një periudhë më të gjatë se 2 orë. Rolin e tyre e ka ushtruar një vëzhguese nga një subjekti politik./Insajderi.com


⌚Voton Vlora Çitaku

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka bërë të ditur se është në Kosovë dhe ka dalë në votime, njofton Insajderi.

Çitaku në Facebook ka publikuar një fotografi para shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.

E njëjta ka thënë se duhet që qytetarin t’i marrin maskat, si masë mbrojtëse kundër COVID 19.

Gjithashtu, edhe masat kundër temperaturave të ftohta./Insajderi.com


⌚ Al Jazeera: Brezi i ri i politikanëve përballet me ata të vjetër në zgjedhjet e Kosovës

Kosovarët po shkojnë në votime në zgjedhje të parakohshme që mund të shohin një brez të ri të politikanëve të marrin drejtimin pasi kaluan në zhgënjimin dhe lodhjen e përhapur me institucionet politike, transmeton Insajderi.

Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës vijnë pas një viti në të cilin pandemia e Coronavirusit ka thelluar krizat sociale dhe ekonomike në ish-provincën serbe, e cila deklaroi pavarësinë 13 vjet më parë, raporton Al Jazeera.

Tashmë një nga ekonomitë më të varfra të Evropës, Kosova tani po lufton përmes një rënieje të shkaktuar nga pandemia, me vaksinimet ende për të filluar për popullsinë prej 1.8 milionë banorëve.

Vetëvendosje (Vetëvendosje) – një lëvizje proteste anti-vendosje e kthyer në parti politike – duket se do të përfitojë nga një uri në rritje për ndryshim.

Sondazhet e vendosin atë në vend të parë të rehatshëm, megjithëse potencialisht i shkurtër nga një shumicë absolute.

Partia ka bërë fushatë në një platformë anti-korrupsion, duke akuzuar elitat tradicionale për shpërdorimin e viteve të para të pavarësisë së Kosovës me korrupsion dhe keqmenaxhim dhe duke u zotuar për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e pagave.

Për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, Kosova është drejtuar nga ish komandantët rebelë që udhëhoqën rebelimin e viteve 1990 të luftëtarëve shqiptarë etnikë kundër forcave serbe.

Sidoqoftë, kampit të tyre tani u mungojnë udhëheqësit e tij të lartë pasi një gjykatë në Hagë arrestoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët në nëntor me akuzat e krimeve të luftës që datojnë që nga konflikti.

Kjo duket se ka ndihmuar në hapjen e një rruge për Vetëvendosjen, thirrjet e të cilit për ndryshim mund të fitojnë madje edhe disa që nuk përputhen me të kaluarën e ashpër të lëvizjes, përfshirë protesta ndonjëherë të dhunshme, retorikë anti-perëndimore dhe incidente në të cilat deputetët lëshuan gaz lotsjellës në Parlament. /Insajderi.com


⌚ Rakiq: Dilni masivisht në zgjedhje

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar në njërën nga qendrat e votimit në Mitrovicën Veriore, njofton Insajderi.

Pasi votoi, iu drejtuar gazetarëve duke kërkuar të dalin të gjithë zgjedhje.

Ai bëri të ditur se vendvotimet janë hapur të gjitha në kohë dhe deri me tani nuk ka asnjë problem që do të ndikonte në procesin zgjedhor.

“Më vjen mirë që të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, dhe se votimi po realizohet pa asnjë problem. Ju po e shihni se sot koha është ndryshe nga ajo që jemi mësuar, për herë të parë sot kemi borë dhe nuk e kemi të vështir qe edhe sot të vijmë që votën tonë t’u japim kandidatëve tanë. Thërras të gjithë qytetarët në numër sa më të madh siç bëmë në mëngjes të dalin gjatë ditës të votojnë, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të përkrahin kandidatet e tyre”, ka thënë Rakiq.

Kryetari i Listës Serbe ka kërkuar nga qytetarët që gjatë procesit të votimit të respektojnë të gjitha masat antiCovid.

“Natyrisht duke respektuar të gjitha masat, ju keni pas mundësinë në mëngjes të vëreni se të gjitha masat epidemiologjike po respektohen të gjithë bartim maska në vend votime dhe ftoj qytetarët që ti bartim maskat, dhe natyrisht nëse dikush nuk ka maska do t’i presin në hyrje të vend votimeve”, tha ai.

Rakiq është pyetur nga një qytetare se pse Prishtina nuk po lejon serbët të votojnë me dokumente të UNMIK-ut.

Megjithatë Rakiq nuk u përgjigj duke thënë se nuk dëshiron të thyejë heshtjen zgjedhore.

“Për këtë do t’iu përgjigjem sonte, kam mundur t’u përgjigjem dje. Pasi që sot është ditë zgjedhore, nuk dua ta thyej heshtjen zgjedhore, sepse përgjigjen time do ta kuptonin gabimisht. Kaq për sot shihemi në mbrëmje”, u shpreh Rakiqi.

Kujtojmë se në Komunën e Mitrovicës së veriut, janë gjithsej 7 Qendra votimi dhe 23 vendvotime, të cilat janë hapur me kohe në orën 07:00 dhe deri me tash nuk ka asnjë problem për t’u theksuar./Insajderi.com


⌚ Reutres: Kosova voton në zgjedhje që mund ta komplikojnë procesin e dialogu me Serbinë

Mediumi anglez Reuters shkruan se Kosova voton të dielën në zgjedhjet të cilat mund të komplikojnë dialogun me Serbinë, transmeton Insajderi.

Sipas këtij mediumi, këto zgjedhje nacionale mund të komplikojnë përpjekjet perëndimore për të zgjidhur mosmarrëveshjen territoriale që ka zgjatur me dekada me Serbinë.

Sipas sondazheve, partia Vetëvendosje do të fitojë 45% deri në 55% të votave.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër për pesë muaj vitin e kaluar, ka fituar mbështetjen e qytetarëve me premtimet për të luftuar korrupsionin e përhapur dhe me qëndrimin se nuk duhet të ketë kompromis në dialog me Serbinë, shkruan Reuters.

Serbia, e mbështetur nga Rusia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke përmendur nevojën për të mbrojtur të drejtat e pakicës së saj serbe në Kosovë.

Negociatorët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur të sigurojnë një kompromis për të lejuar Kosovën të anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe NATO, shkruan tutje Reuters.

Me një të tretën e forcës së saj të punës të papunë dhe një prodhim të brendshëm bruto për banor prej 4 mijë e 300 dollarë, Kosova mbetet vendi më i varfër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pothuajse 2 mijë e 400 qendra votimi u hapën në ora 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19 pasdite. Rezultatet e para priten disa orë më vonë./Insajderi.com


⌚ DnV: Procesi i votimit po rrjedh i qetë, dalja më e madhe e votuesve në zonat e banuara me shumicë serbe

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se procesi i votimit po rrjedh i qetë, ndërsa është vërejtur dalje më e madhe e votuesve në zonat e banuara me shumicë serbe dhe se nuk është raportuar për ndonjë incident serioz që do të mund të cenonte procesin e votimit.

Lexoni të plotë njoftimin:

Dalja në votim

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit – që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë. Deri në orën 10:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 5.2% (0.24% marzha e gabimit) e qytetarëve me të drejtë vote. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,794,862 qytetarë të Kosovës.

Në komunat me shumicë serbe është raportuar për dalje në votime në mbi 10%, që është dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

Respektimi i masave kundër COVID19 gjatë votimit

Në 21% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID19, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

Udhëzimit administrativ i KQZ-së (UA-03/2020) kërkon që secili votues për qëllime të identifikimit nga anëtari i KVV-së të largojë maskën mbrojtëse. Megjithatë, gjatë votimit, në 27% të vendvotimeve, qytetarëve nuk u është kërkuar fare të heqin maskën mbrojtëse për t’u identifikuar, ndërsa në 35% të vendvotimeve kjo gjë po u kërkohet pjesërisht.

Votimi me dokumente jovalide

Për këto zgjedhje, KQZ ka larguar nga Lista e Votuesve 122,421 votues të cilët kanë poseduar vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIKU. Megjithatë, janë hasur raste kur qytetarët janë lejuar të votojnë me dokumente jovalide, si dokumente të UNMIK-ut,  shteteve të tjera apo dokumente të Kosovës me afat të skaduar.

Deri në orën 10:00, në 96% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide. Ndërsa në vetëm 4% të vendvotimeve kjo parregullsi është hasur në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit

Zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të vendvotimeve në këto zgjedhje nga 2547 sa ishin në 2019 në 2382, ka prodhuar vështirësi tek qytetarët për t’a gjetur emrin në Listën e Votuesve, rrjedhimisht vendvotimin e duhur.

Deri në orën 10:00, në 67% nuk ka pasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit. Ndërsa në 33% të vendvotimeve janë hasur deri në 10 raste.

Votimi me asistencë

Asistenca gjatë votimit është një ndihmë e cila mund t’i ofrohet votuesit, nën rrethana të veçanta në mënyrë që çdo votues të ketë mundësinë e ushtrimit të së drejtës së tij/saj juridike për të votuar. Rregulla zgjedhore përcakton se asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë nga i njëjti qytetar dhe duhet të regjistrohet në Librin e Votimit. Për më tepër, anëtarëve të KVV-së apo vëzhguesve të akredituar iu ndalohet rreptësisht të ofrojnë asistencë në votim.

Në të kaluarën asistenca është keqpërdorur për të imponuar apo deformuar vullnetin e lirë të qytetarëve duke ndikuar drejtpërdrejt në përzgjedhjen e një subjekti politik apo kandidatëve të caktuar.

Deri në orën 10:00:

Në 64% deri në 10 raste me asistencë të evidentuar në Librin e Votimit.

Gjithsesi janë evidentuar edhe raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat, 4.5%  në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Për më tepër, janë evidentuar edhe raste kur një person ka asistuar më shumë se një herë. Kjo parregullsi ka ndodhur në 1% e vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 1-4 raste).

Në vitin 2019, DnV raportoi se numri i rasteve të votimit me asistencë të rregullt ishte mbi 42,000, ndërsa me asistencë të parregullt ishin evidentuar rreth 800 raste.

DnV i bën thirrje kryesuesve të KVV-ve që të sigurojnë që votimi me asistencë të bëhet konform rregullave zgjedhore. Asistenca e parregullt konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore, e dënueshme me gjobë prej 200-2000 Euro.

Fotografimi i votës

Ndonëse fenomen në përmasa të vogla, cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ka të bëjë me blerjen e votës, frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij.

Deri në orën 10:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 2% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste).

Incidente serioze

Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz që do të mund të cenonte procesin e votimit.

DnV u bën thirrje qytetarëve të dalin të votojnë dhe përmes pjesëmarrjes së tyre të bëhen pjesë e vendimeve për vendin.

DnV kërkon nga të gjitha subjektet politike të përmbahen nga çdo veprim që mund të cënojë integritetin e procesit zgjedhor.

DnV pret që institucionet e vendit të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të garantuar një atmosferë të qetë dhe zgjedhje demokratike dhe të lira./Insajderi.com


1% më pak votues deri në orën 11:00, krahasuar me zgjedhjet e kaluara 

Deri në orën 11:00 sipas raportimeve të KQZ-së kanë votuar 8.34% të qytetarëve.

Kjo shifër krahasuar me zgjedhjet e fundit, të datës 6 tetor 2019, është 1% më e vogël, njofton Insajderi.

Si shkak për këtë rënie të numrit të votuesve deri në këtë kohë për dallim nga zgjedhjet e kaluara, po konsiderohet moti i keq.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme ka pasur dhe reagime e ankesa për mos pastrim të rrugëve, të cilat janë bërë vështirë të qarkullueshme./Insajderi.com


⌚ Voton edhe Fatmir Limaj

Kreu i NISMA-së Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ushtruar të drejtën e votës në objektin e shkollës Faik Konica në Prishtinë, njofton Insajderi.

Në prononcimin e tij për media, Limaj është shprehur se “ky është moment i rëndësishëm i demokracisë, shpresoj që këto zgjedhje do të prodhojnë stabilitet, do të prodhojnë siguri dhe qeverisje stabile. Gjitha këto vijnë nëse vazhdojmë të jemi krenar për të kaluarën”./Insajderi.com

 


⌚ Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.34% e qytetarëve me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në ora 11:00 është 8,34 %, apo 87 mijë 151 votues, njofton Insajderi.

Qendra e votimeve janë hapura në ora 07:00 dhe do të mbyllën në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862.

Ndërkohë, këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime./Insajderi.com


⌚Voton Behgjet Pacolli

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka votuar sot, njofton Insajderi.

Pacolli ka votuar në Shkollën Fillorë “Shkëndija”, në Hajvali të Prishtinës.

Pas prononcimit për media ai ka thënë se “shpreson që  qytetarët të dalin në zgjedhje të votojnë për një jetë më të mirë, shpresoje qe kjo ditë të shkojë mirë e të shërbejë edhe për të tjerët”./Insajderi.com

 


⌚Qytetarët ankohen se po u bëhet thirrje për votim nga subjektet politike

Qytetarë të shumtë kanë raportuar se janë duke pranuar mesazhe nga subjektet politike, ku rekomandohet se për cilin kandidat të votohet, njofton Insajderi.

Mesazhet janë dërguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“I dashur qytetar, kërkoj mirëkuptimin tuaj që nuk patëm rastin të takohemi në fushatën që kaluam. Voto për shtetin, LDK 32 Muharrem Svarqa nr 28”, thuhet në njërin nga mesazhet e dërguar nga LDK.

Kurse, AAK në mesazhin drejtuar qytetarëve thotë se Kosova ka nevojë për president të fortë, duke ftuar kështu votuesit që të votojnë Ramush Haradinaj.

“Kosova ka nevojë për një president të fortë, një njeri të dëshmuar, qytetarë zgjedhjen e duhur e keni tek AAK  – 135, voto Ramush Haradinaj”, thotë mesazhi i AAK-së.

Këto mesazhe janë dërguar në redaksinë e gazetës Telegrafi.

Të tilla mesazhe, qytetarët kanë pranuar edhe në zgjedhjet e kaluara./Insajderi.com


⌚Voton Isa Mustafa, shpreson në demokratizimin e vendit

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka votuar në objektin e shkollës Emin Duraku në Prishtinë, njofton Insajderi.

Në prononcimin e tij për media, Mustafa ka thënë se “uron që të gjithë qytetarët të votojnë për edhe përkundër motit të keq”.

“Shpresoj të votojnë për zhvillim ekonomik dhe demokratizim të vendit”. Ka përfunduar prononcimin e tij Mustafa./Insajderi.com


⌚Osmani voton: Ditë e bardhë për Kosovën

Kandidatja për presidente nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka votuar në objektin e Fakultetit Teknik në Prishtinë, njofton Insajderi.

Ajo gjatë prononcimit për media, është shprehur se sot është një ditë e bardhë për Kosovën, ku qytetarët përmes vullnetit të tyre të lirë do ta përcaktojnë fatin e vendit”

“Edhe pse ftohtë, i ftoj qytetarët të dalin në zgjedhje, në veçanti vajzat dhe gratë meqë barazia fillon te kutia e zgjedhjeve”.

Ajo i ka falënderuar edhe mërgatën dhe të gjithë komisionarët.

“Një falënderim i veçantë i shkon edhe faktorit ndërkombëtar qe po e monitorojnë këtë proces për zgjedhje të mira dhe korrekte”, ka shtuar Osmani.

E pyetur se a do të arrijë të bëhet presidente e vendit? Ajo është përgjigjur se “flasim pasi të përfundojë procesi zgjedhor”./Insajderi.com


⌚Voton Kurti, thotë se e ardhmja do jetë e ndritur

Në Fakultetin Ekonomik, ka votuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njofton Insajderi.

Ai pas procesit të votimit, është prononcuar për media duke thënë se “sot është ditë e bardhe, e ndritshme sikur e ardhmja jone”.

Tutje ai ka vazhduar duke thënë se qytetarët kanë  nevoje për demokraci dhe legjitimitet. Kjo nevoje është e drejte dhe paraqet mundësi që duhet shfrytëzuar. Kosova këtë të diel i kthehet normalitetit”.

I pyetur se a do ti marrë mbi 51% të votave, ai është shprehur se “sot e kanë fjalën qytetarët, fushata ka përfunduar pardje”./Insajderi.com


⌚Voton Avdullah Hoti

Ka votuar, kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Kryeministri në detyrë së bashku me bashkëshorten e tij, kanë votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.

Pas votimit, ai I ka falënderuar të gjithë ata që kanë organizuar zgjedhjet./Insajderi.com


⌚Voton Ramush Haradinaj

Ka votuar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton Insajderi.

Haradinaj së bashku me bashkëshorten kanë votuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.

Pas procesit të votimit, ai është shprehur se këto zgjedhje janë më rëndësi për vendin, për integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare”.

Tutje ai ka shtuar se pas këtyre zgjedhjeve pret që shpejt të krijohen institucionet e vendit./Insajderi.com


⌚ Enver Hoxhaj voton – jep mesazhe politike në kundërshtim me rregullat

Enver Hoxhaj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëri nga kandidatët për postin e kryeministrit, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në Prishtinë dhe më pas ka bërë deklarata në kundërshtim me rregullat, meqë ka dhënë mesazhe politike.

Hoxhaj nuk ka hezituar të bëjë komente politike, duke iu treguar qytetarëve se cilat janë opsionet e tyre politike dhe çfarë mund të zgjedhin ata në këto zgjedhje.

Edhe pse e filloi me “sot është dita kur flasin qytetarët, jo ne politikanët”, ia më pas vazhdoi me komente.

“Ne mendojmë se qytetarët e Kosovës janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike dhe stabiliteti, apo para opsionit të mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar, prandaj unë e pres vendimin e qytetarëve”.


888 qendra të votimit do të jenë të hapura për qytetarët gjatë ditës së sotme

Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë në garë zgjedhore janë 1 mijë e 52 kandidatë nga listat e 28 subjekteve të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhje, njofton Insajderi.

Ndërsa qytetarët do të mund të votojnë në 888 qendra votimi në gjithë territorin e Kosovës.

Në këto qendra janë dy mijë e 382 vendvotime, të cilat janë hapur nga ora 07:00 në mëngjesin e sotëm.

Deri në këtë kohë, gjithçka ka shkuar në rregull me procesin zgjedhor.

Asnjë nga qendrat e votimit, përkundër motit të ligë, nuk ka vonuar për t’u hapur./Insajderi.com


1 milion e 794 qytetarë me të drejtë vote për 1052 kandidatë për deputetë

1 milion e 794 mijë e 862 kosovarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, pasi ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve.

Në këto zgjedhje Kosovës i janë shtuar edhe gati 50 mijë votues të rinj ka njoftuar KQZ-ja.

“Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues”.

Ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Po ashtu KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare.

“Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë”.

“Numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është: 10 mijë e 433 votues”./Insajderi.com


Daka: Organizimi i zgjedhjeve në Veri pa monitorimin e OSBE-së nuk paraqet problem

Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, Komisioni Qendror Zgjedhor do të organizojë për herë të parë zgjedhjet në Veri pa bashkëpunimin e OSBE-së, njofton Insajderi.

Në pjesë të tjera të Kosovës edhe në zgjedhjet e kaluara, OSBE-ja ishte vetëm vëzhguese, por në Veri të vendit kjo është hera e parë që KQZ-ja krejt e vetme organizon zgjedhjet.

Por, kjo nuk paraqet probleme, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një prononcim për media, menjëherë pasi ka hedhur votën e saj në orën 07:00, atëherë kur edhe janë hapur vendvotimet.

“Edhe zgjedhjet e kaluara i kemi organizuar vetë, roli i OSBE-së ka qenë monitorues. Të gjitha përgatitjet i kemi bërë ashtu siç i kemi bërë edhe më parë. Pra nuk kemi ndonjë pengesë të posaçme në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Daka./Insajderi.com


88 prokurorë po përcjellin procesin zgjedhor

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se është duke e përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili është duke u mbajtur sot për Kuvendin e Republikës së Kosovës, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, nga Prokuroria kanë bërë me dije  që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme, janë të angazhuar  88 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët janë duke përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.

“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votes”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com

 


  KQZ: Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellur në çdo vendvotim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim të Kosovës pavarësisht problemeve me komunikacion si pasojë e motit të ligë, njofton Insajderi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media të KQZ-së për sot ka bërë të ditur se vendvotimet janë hapur në orarin e paraparë në tërë territorin e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

“Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Ai ka bërë të ditur se numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Elezi ka thënë se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues./Insajderi.com


Kosova voton – hapen vendvotimet

Në orën 7:00 janë hapur vendvotimet në gjithë territorin e Kosovës.

Në këtë orë ka hedhur votën e saj edhe kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

Ajo u ka bërë thirrje partive politike që të respektojnë rregullat e votimit derisa ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Në këto zgjedhje nuk do të ketë vëzhgues të OSBE-së, por Daka nuk e vlerësoi këtë si diçka të dëmshme.

Ajo tha se edhe në zgjedhjet e fundit KQZ e ka bërë vetë organizmin e zgjedhjeve.