LIVE – Shqipëria voton

Në Shqipëri po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë afër tre milionë e 500 mijë qytetarë. Votimi ka filluar në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Më poshtë mund të lexoni gjithçka po ndodhë sot në procesin zgjedhor.

LIVE – Shqipëria voton

⌚20:44 – Boiken Abazi: E vërteta nuk është nëpër “exit-poll” por brenda kutive të votimit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, i cili ka garuar si kandidat i pavarur në zgjedhjet parlamentare të sotme në Shqipëri, është deklaruar pas mbylljes së procesit të vendvotimeve dhe rezultateve të EXIT POLL-eve, të cilat Partinë Socialiste e rendition të parën, Partinë Demokratike të dytën e Lëvizjen Socialiste për Integrim të tretën, njofton Insajderi.

Abazi me anë të një postimi në Facebook, thotë se integriteti i këtyre zgjedhjeve varet nga garantimi i votës së qytetarëve të cilët i kanë mbështetur kandidatët e pavarur.

Sipas tij, e vërteta nuk qëndron nëpër EXIT POLL-e, por brenda kutive të votimit.

“Vëzhguesit tanë janë pranë të gjitha tavolinave në çdo qendër numërimi dhe nuk do lejojmë tjetërsim, manipulim apo vjedhje. E vërteta nuk është nëpër “exit-poll” por brenda kutive të votimit, dhe e vërteta do na çojë përpara”, ka shkruar Abazi.


20:29 – Rama: Pamë parashikimet e rezultateve para ndeshjes, tani fillon rezultati i ndeshjes

Kryeministri i deritashëm i Shqipërisë, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është drejtuar mediave pas përfundimit të procesit të votimit, ku tha se “votat janë në kuti dhe tani duhet të numërohen”.

Ai shtoi se rezultatet e deritashme të EXIT POLL-eve e sondazheve janë “rezultate para ndeshjes, ndërsa tani do të fillojë rezultati i ndeshjes”.

Ai tutje e ka quajtur një ditë të mirë e demokratike sa i përket procesit të votimit, për çka shpreson se edhe vazhdimi i procesit të vazhdojë njëjtë.

“Hamendjet, sondazhet,  EXIT-POLL-et pavarësisht që na japin forcë, janë vetëm parashikimetjanë parashikimet para ndeshjes, tani është rezultati i ndeshjes. Ju uroj shumë të gjithëve përqendrohuni në detyrën tuaj. Ajo që dua ta theksoj është se ne nuk duam thjeshtë rezultate por duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur, e qetë, kaq qytetare falë mirësjelljes demokratike të të gjithëve duhet të jetë edhe vazhdimi i procesit”, ka thënë Rama.


19:59 – Rezultatet e EXIT POLL-it të Albanian Post për qarqet

EXIT POLL-i i Albanian Post, ku në rezultatet e përgjithshme Partia Socialiste ka dalë subjekti i parë fitues me 46.9 për qind të votave, duke lënë të dytën Partinë Demokratike me 43.5 për qind të votave, tregon edhe rezultatet për secilin qark të Shqipërsë dhe mandatet e fituara për qarqe, transmeton Insajderi.

Më poshtë gjenden të listuara të gjitha qarqet me përqindje dhe gjithashtu mandatet e fituara.

KUKËS:                                 %                                   MANDATE

Partia Socialiste                       35.00%                                    1

Partia Demokratike                 63.8%                                      2

LSI                                          0.8%                                            0

Tjera                                        0.4%

 

KORÇË:

Partia Socialiste                       45%                                         5

Partia Demokratike                 43.6%                                     5

LSI                                          10%                                             1

Tjera                                        1.4%

 

SHKODËR:

Partia Socialiste                       29.6%                                      4

Partia Demokratike                 47.1%                                      6

LSI                                          10.7%                                          1

Tjera                                        12.6%

         

BERAT:

Partia Socialiste                       50.4%                                      4

Partia Demokratike                 35.3%                                      2

LSI                                          13%                                              1

Tjera                                        1.3%                                           0

 

 

FIER:

Partia Socialiste                       50.2%                                      9

Partia Demokratike                 37.3%                                      6

LSI                                          9.0%                                            1

Tjera                                        3.5%                                           0

 

DIBËR:

Partia Socialiste                       36.8%                                      2

Partia Demokratike                 53.0%                                      3

LSI                                          8.6%                                            0

Tjera                                        1.6%                                           0

 

GJIROKASTËR:

Partia Socialiste                       47.4%                                       2

Partia Demokratike                 39.2%                                      2

LSI                                          13.2%                                           0

Tjera                                        0.2%                                           0

 

LEZHË:

Partia Socialiste                       35.2%                                      3

Partia Demokratike                 54.5%                                      4

LSI                                          8.3%                                            0

Tjera                                        2.0%                                          0

 

 

ELBASAN:

Partia Socialiste                       53.4%                                      8

Partia Demokratike                 40.7%                                     6

LSI                                          3.7%                                            0

Tjera                                        2.2%                                          0

 

TIRANË:

Partia Socialiste                       44.6%                                      17

Partia Demokratike                 46.4%                                      17

LSI                                          6.6%                                             2

Tjera                                        2.4%                                            0

 

VLORË:

Partia Socialiste                       65.00%                                    8

Partia Demokratike                 30.4%                                      4

LSI                                          3.6%                                            0

Tjera                                        1.0%                                           0

 

DURRËS:

Partia Socialiste                       52.6%                                      8

Partia Demokratike                 42.9%                                      6

LSI                                              3.0%                                         0

Tjera                                          1.5%                                           0

 

TOTALI:                                                                  MANDATE

Partia Socialiste                       45.9%                                      69

Partia Demokratike                 44.5%                                      65

LSI                                              6.9%                                        6

Tjera                                           2.9%                                        0


19:02 – Publikohet EXIT-POLL-i i Albanian Post, PS e para me 46.9%, PD shumë afër

Me 46.9 përqind të votave, EXIT POLL-i i Albanian Post ka renditur Partinë Socialiste partinë e parë fituese në zgjedhjet nacionale të 25 prillit në Shqipëri, përcjell Insajderi.

E dyta dhe shumë afër me përqindje prej partisë së parë, është renditur Partia Demokratike me 43.5 për qind të votave.

Ndërsa, Lidhja Socialiste për Integrim ka dalë e treta me 6.9 për qind, derisa partitë e tjera kanë arritur të marrin 2.7 për qind të votave totale.

Parlamenti i Shqipërisë përbëhet nga 140 ulëse, derisa një partie i nevojitet një shumicë prej mbi 70 ulëse që të ketë të drejtë të qeverisë e vetme për katër vitet e ardhshme.


18:56 – Meta në konferencë pak minuta para mbylljes së vendvotimeve

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një konferencë për media pak minuta para se të mbyllen qendrat e votimit në tërë Shqipërinë, njofton Insajderi.

Derisa u pyet nëse do të dekretojë kryeministrin aktual, Edi Rama, pas 25 prillit nëse fiton një mandat të tretë, Meta tha se e rëndësishme është të fitojë Shqipëria.

“Për mua është e rëndësishme të fitojë Shqipëria. I ftoj të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e këtij qëllimi”, ka thënë ai.

Kreu i Shtetit zgjodhi sheshin e Flamurit në Vlorë për të përcjellë edhe mesazhin e fundit për pjesëmarrje në zgjedhje para se të mbyllet votimi.

“Vlora në një moment historik si ky do të thotë fjalën e saj dhe kam shumë besim te Vlora. Ky shesh është i gjithë shqiptarëve ndaj e zgjodha për të dhënë mesazhin e fundit për pjesëmarrjen”, ka thënë ai.

“Të gjithë duhet të jenë pjesë e kësaj historike. Të gjithë të nxitojnë të kryejnë këtë detyrim qytetar dhe patriotik. Si mund të mungojnë ata në një moment kaq historik të takimit të Shqipërisë me Europën”, u shpreh tutje ai.


18:39 – KQZ publikon të dhënat e pjesëmarrjes në votime deri në orën 17:00

49.59 është përqindja më e lartë e qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar në zgjedhjet e sotme nacionale në Shqipëri, deri në orën 17:00, njofton Insajderi.

Sipas përditësimit më të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dibra dhe Tirana janë dy qarqet me shifrat më të larta.

Me 49.59 për qind të qytetarëve në Dibër dhe 49.32 për qind në Tiranë, shënohet numri më i lartë i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës në Shqipëri.

Më poshtë gjeni përqindjet për të gjitha qarqet:

Berati 41.10%

Dibër 49.59%

Durrësi 42.26%

Elbasan 44.62%

Fier 41.23%

Gjirokastër 39.24%

Korçë 41.84%

Kukës 45.43%

Lezhë 41.33%

Shkodër 38.11%

Tiranë 49.32%

Vlorë 31.58%


16:48 – Pjesëmarrja e votuesve në Shqipëri arrin në 38.25%

Në 38.25 ka shkuar përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve deri në orën 15:00, në zgjedhjet nacionale që po mbahen në Shqipëri, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri pas tetë orëve që nga hapja e procesit të votimit.

Të dhënat e KQZ-së deri më tani tregojnë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje duke krahasuar orën 15:00 me katër vite më parë vihet re një rritje e qytetarëve që kanë dalë për të votuar.

Përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës.


16:07 – Anita Haradinaj voton në Shqipëri: I ftoj të gjithë të votojnë, përcaktojnë të ardhmen Evropiane

Bashkëshortja e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Anita Haradinaj, ka votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Shqipëri, njofton Insajderi.

Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, Haradinaj me anë të një fotografie ka bërë të ditur se ka votuar sot, derisa i ftoi shqiptarët që të votojnë në këto zgjedhje.

Sipas saj këto zgjedhje do ta përcaktojnë të ardhmen e Shqipërisë Evropiane.

“I ftoj të gjithë Shqiptarët që me të drejtën e votës së tyre sot të përcaktojnë të ardhmen e Shqiperisë Evropiane”, ka shkruar Haradinaj.


15:20 – Flet shoferi që rrezikoi jetët e njerëve në sheshin e Tiranës: U nisa për të votuar, por përdora kanabis

32-vjeçari, Arben Mema, i cili rrezikoi shumë qytetarë në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, duke hyrë me shpejtësi në këtë zonë, është deklaruar pas aktit që kreu orë më parë, transmeton Insajderi.

Ai në polici ka deklaruar se ishte nisur për të votuar dhe ka kaluar nga zona e parkut ku ka marrë pesë gramë kanabis në dy qese farmaceutike.

Mema është shprehur se një pjesë prej tyre i ka pirë dhe pastaj shton se nuk e ka kuptuar si ka ndodhur ngjarja.

“Dola nga shtëpia dhe para se të shkoja për të votuar, kalova te zona e parkut. Aty mora 5 gram kanabis në dy qese farmaceutike. Një pjesë e piva. Nuk e di as vetë si ndodhi sepse nuk po kuptoja asgjë. Isha në Yzberisht dhe aty më doli një makinë para e përplasa”, raporton Abc News.


14:24 – Meta dhe Rama vlerësojnë të riun që ndaloi veturën që rrezikoi jetën e qytetarëve në Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, kanë vlerësuar aktin heropik të qytetarit 22-vjeçar, i cili arriti të ndalojë 32-vjeçarin në sheshin “Skënderbej”, ku po rrezikonte jetën e dhjetëra qytetarëve me lëvizjet që po i bënte me veturën e tij, njofton Insajderi.

Meta shkroi në llogarinë e tij në Facebook një falënderim dhe mirënjohje për veprimin e të riut i cili shpëtoi jetët e qytetarëve dhe parandaloi një ngjarje të rëndë në sheshin e Tiranës.

“Falenderim dhe mirënjohjen më të thellë për aktin heroik të Klodianit, i cili shpëtoi sot jetën e dhjetëra qytetarëve dhe parandaloi një ngjarje tepër rëndë në Sheshin “Skënderbej”. Sot në Ditën e Sovranit, të Demokracisë dhe të Qytetarisë, akti i tij është një shembull frymëzues për të gjithë” shkruan Meta.

Ndërkohë më herët kryeministri Rama priti Klodian Elqenin në selinë e Partisë Socialiste. /Insajderi.com

https://www.instagram.com/p/COFjevwJfsv/?utm_source=ig_embed


13:30 – Incident në sheshin e Tiranës, një 22 vjeçar ndalon veturën që po lëvizte në drejtim të qytetarëve

Një incident ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, ku një shofer ka hyrë brenda sheshit me një shpejtësi të madhe në një zonë pedonale, duke rrezikuar jetën e qindra qytetarëve, transmeton Insajderi.

Siç shihet prej pamjeve të publikuara nga mediat në Shqipëri, një djalë i ri i quajtur Klodian Alcani, ka bërë të mundur neutralizimin e tij.

Shoferi u neutralizua dhe në këtë moment dhjetra qytetarë kanë afruar dhe e kanë goditur, ndërsa incidenti është shmangur pa lëndime në qytetarë.

Roja i sigurisë private të Teatrit të Operas dhe Baletit ka qenë personi i parë me uniformë blu që ka ndërhyrë për të neutralizuar të dyshuarin 32-vjeçar, Arben Mema, i cili bëri veprime të pakontrolluara me automjetin e tij në sheshin Skëndërbej.

Ai tha se vetura ka ardhur në shesh nga stacioni i autobusave të Kamzës që qëndrojnë pas pallatit të Operas. Sipas tij në momentin kur e kanë neutralizuar ai i ka kërcënuar.

“Makina në shesh erdhi nga stacioni i autobuzave të Kamzës. Mua mu duke sikur po e ndiqte dikush. Këtu kas ardhur jashtë kontrollit. Kur u fut aty mendova është ndonjë terrorist. Kishte një tatuazh te krahu. M’u duk i pirë, ishte jashtë kontrollit”, tha ai, raporton abcnews.al.

“Shante, mbani mend çfarë do ju bëj. Më kërkuan prangat ata çuan që e ndaluan por unë nuk kisha pranga. Pritëm derisa erdhi policia. Për 4-5 minuta erdhi policia e Shtetit. Erdhi motori dhe pastaj erdhi furgoni që e ka shoqëruar në rajon. Dukej tamam si terrorist. Mendova do jetë ndonjë i paguar që po shkon drejt çadrës për të lënë ndonjë makinë bombë. Ata çunat bënë një punë të mirë”, deklaron ai.

32-vjeçari Arben Mema, dyshohet se ka qenë në gjendje të droguar pasi me vete i janë gjetur disa doza kanabis.


12:55 – Shqipëri: Nusja nga Kavaja shkon të votojë me fustan nusërie në qendrën e votimit

Një nuse në Kavajë të Shqipërisë, e veshur me fustan të nusërisë ka shkuar për të votuar në qendrën e votimit.

Para dasmës, vajza e re ka vendosur të shkojë për të votuar në zgjedhjet parlamentare që janë duke u mbajtur.

Vajza e veshur me vello nuk ka nguruar të bëjë disa foto si kujtim në këtë ditë të shënuar, raporton Top Channel, transmeton Insajderi.

Procesi i votimit në Shqipëri ka tashmë pesë orë e gjysmë që ka filluar.


12:14 – Deri në orën 11:00 kanë votuar 20.70% të qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar se deri në orën 11:00 në Shqipëri kanë votuar 20.70% të qytetarëve në rang vendi, transmeton Insajderi.

Të dhënat e KQZ-së deri më tani tregojnë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje duke krahasuar orën 10:00 me katër vite më parë vihet re një rritje e qytetarëve që kanë dalë për të votuar.

Përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ndërsa më e ulët, raportohet në Qarkun e Gjirokastrës.


⌚  11:48 – Behgjet Pacolli voton në Shqipëri

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar në zgjedhjet e sotme nacionale në Shqipëei, njofton Insajderi.

Pas votimit, Pacolli bëri thirrje për qytetarët që t’u drejtohen qendrave të votimit në këto zgjedhje.

“Votoni edhe ju!Sot pata nderin të votoj me familjen time, më shpresë që vota ime të kontribuojë për një të ardhme më të mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë!”, ka thënë ai.

Përveç Pacollit, edhe kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë zgjedhur të votojnë në këto zgjedhje, meqë posedojnë pasaporta të Shqipërisë.


11:20 – Kryetari i KQZ-së në Shqipëri: Udhëheqësit politik të jenë të matur në deklaratat e tyre

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se situata e votimit deri më tani është e qetë dhe ka disa probleme teknike për shkak të mënyrës së re të votimit, transmeton Insajderi.

Në deklarimin e tij, Celibashi ftoi kandidatët për deputetë dhe udhëheqësit politik të jenë të matur në deklaratat e tyre.

“Situata e votimit është e qetë dhe me shumë pak problematikë teknike”, ka thënë ai.

“Ftoj kandidatët për deputet, e në veçanti udhëheqësve politik dhe drejtuesve të institucioneve kryesore të shtetit të demostrojnë qetësi, durim dhe maturi në komunikimet publike dhe kështu t’i adresohen mbështetësve”, është shprehur tutje kryetari i KQZ-së në Shqipëri.


10:38 – Voton Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh edhe kandidat për një tjetër mandat nga Partia Socialiste, ka votuar për zgjedhjet parlamentare të sotme në Shqipëri, njofton Insajderi.

Rama ka votuar në Qendrën e Votimit në shkollën “Ymer Lala” në Surrel.

Kreu i Partisë Socialiste do ta shfrytëzojë të drejtën e tij në këtë fshat në qarkun e Tiranës.

Ai vetë mandatin e deputetit synon ta marrë në qarkun e Durrësit e Vlorës.


10:23 – Voton Ilir Meta: E gjithë bota i ka sytë te Shqipëria

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka votuar në ditën e sotme në orën 07:00, orar ky që përkon edhe me hapjen e procesit të votimit që është duke u mbajtur në Shqipëri, njofton Insajderi.

Pas votimit, Meta ka folur për mediat, duke bërë thirrje për zgjedhjen e alternativës dhe kandidatëve më të mirë, pasi sipas tij, e gjithë bota i ka sytë te Shqipëria.

“Erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme. Për sovranin në kushte sa më të mira, për të shprehur vullnetin e lirë. Çdo qytetar i Shqipërisë, pavarësisht se nga çka përjetuar, duhet që Republika jonë të ripërtërijë themelet e saj nëpërmjet votës së lirë. I ftoj të zgjedhin alternativën që ato besojnë dhe kandidatët më të ndershëm. E gjithë bota i ka sytë tek Shqipëria vetëm mbarëvajtje e mirë i këtij procesi do të thotë që Evropa do të hapë ,anëtarësimin. Vota të lira, qytetarët të votojnë atë që kanë në mendje e zemër”, u shpreh Meta.

Qytetarët shqiptarë janë duke votuar për legjislaturën e re që do të qeverise për katër vitet e ardhshme në Shqipëri.


10:02 – Erion Veliaj: Vota është më e fortë sesa plumbat dhe dhuna


09:50 – Lulzim Basha: Dilni masivisht dhe votoni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka votuar mëngjesin e sotëm në lagjen që është rritur, në procesin zgjedhor që po mbahet në Shqipëri, njofton Insajderi.

Kandidati për kryeministër iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime, pasi sipas tij, sot kanë në duar fuqinë për të ndryshuar të ardhmen.

“Sot është një ditë e mrekullueshme, një ditë historike për vendin. Është dita kur të gjithë ne kemi në fuqi në dorën tonë, shqiptarët kanë në dorë fuqinë për fëmijët, për familjet, për vendin, për kombin”, ka thënë ai.

“Sot është dita të dilni dhe të votoni, të bëni të mundur të ardhmen që do të dëshironi. Sot është dita e Shqipërisë, dilni masivisht në votime. Sot jam i lumtur që votën time e hodha për herë të parë në lagjen ku jam lindur dhe rritur. Dilni masivisht dhe votoni. Sot është dita e demokracisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Basha.


09:40 – Liburn Aliu voton në Shqipëri

Të drejtën e votës sot në Shqipëri e shfrytëzoi edhe ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, njofton Insajderi.

Aliu iu drejtua kutive të votimit për Kuvendin e ri atje, meqë e gëzon nënshtetësinë e Shqipërisë.

Pas votimit, Aliu tha se shpreson që çdo gjë të shkojë mirë.

“Uroj që të jetë çdo gjë e rregullt edhe në procesin e votimit dhe numërim”.

Ai u shpreh optimist edhe për suksesin e tre kandidatëve nga radha e Lëvizjes Vetëvendosje që po kandidojnë për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.


09:20 – Mbi 23 mijë qytetarë me COVID-19 s’kanë të drejtë vote në Shqipëri

23 mijë e 21 qytetarë shqiptarë të cilët janë të infektuar meë Coronavirus, nuk do të kenë mundësinë që sot të votojnë në zgjedhjet parlamentare që kanë nisur nga ora 07:00, njofton Insajderi.

Kështu bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në një përditësim të ditës së djeshme.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se çdo qytetar që do të paraqitet në qendrën e votimit nuk do të kthehet pa votuar, pasi nuk kanë mekanizma për të verifikuar nëse janë të infektuar apo jo, por nëse konstatohen se janë me COVID dhe kanë dalë nga banesa duke thyer karantinën është policia që merr masat sipas aktit normative, raporton ‘abcnews’.

Në këto zgjedhje nuk kanë të drejtë vote as shqiptarët që janë kthyer nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut gjatë ditëve të fundit, pasi janë detyruar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.


09:15 – Voton Monika Kryemadhi


 09:00 – Albin Kurti voton në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri


08:30 – Rama: Të tregojmë sot se përtej partive politike për ne është Shqipëria

Në ditën kur po mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, thotë se së bashku duhet treguar se përtej ndasive dhe partive politike, për ata është Shqipëria, e cila duhet respektuar me mirësjellje shembullore, njofton Insajderi.

Rama me anë të një shkrimi në Facebook, tha se qytetarët duhet të shprehin bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, ka shkruar Rama.

Qytetarët shqiptarë sot iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e deputetëve për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.


07:00 – Nis votimi në Shqipëri

Qytetarët e Shqipërisë sot iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e deputetëve për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, transmeton Insajderi.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë një mijë e 841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.

Një risi tjetër gjatë këtyre zgjedhjeve janë kamerat në çdo qendër të votimit, raporton KP.

Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zonave është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh.

Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse.

Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë.