Lladrovci bën dy padi të reja ndaj Milaim Zekës

Lladrovci bën dy padi të reja ndaj Milaim Zekës

Kryetari i Komunës së Drenasit ka paralajmëruar padi të reja ndaj deputetit të partisë Nisma, Milaim Zekës.

“Të premten, Avokati im ka paraqitur dy padi, me qëllim të ndaljes së fyerjeve nga Milaim Zeka dhe Televizioni T7, si promovues i këtyre fyerjeve, duke u shpërndarë në mediat e rëndësishme nacionale, më 19.6.2018. Paditë janë bërë për shkak të fyerjes së neveritshme për herë të dytë kundër meje nga Milaim Zeka në T7. Fyerja që më është bërë, nuk riparohet me reagim. Kam besim te gjyqi, aktualisht si rrugë e vetme”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Milaim Zeka, ka deklaruar në një emision televiziv kohë më parë se Ramiz Lladrovci është propozuar për kryetar të Drenasit, përmes shantazheve që ia ka bërë drejtpërdrejt Presidentit Hashim Thaçi.

“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit, po e them me emër”, ka thënë Zeka.

Ramiz Lladrovci e ka paditur Zekën për siç i quan ai shpifjet që janë bërë ndaj tij.