Lladrovci i pakënaqur me mbështetjen e Qeverisë gjatë pandemisë

Lladrovci i pakënaqur me mbështetjen e Qeverisë gjatë pandemisë

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është shprehur i pakënaqur me ndihmën e ofruar nga Qeveria për këtë komunë në tejkalimin e pandemisë, njofton Insajderi.

Lladrovci thotë se kanë aktivizuar të gjitha institucionet përgjegjëse për tu dal në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.

“Nuk mundem me thënë që kemi pasur ndonjë përkrahje të madhe por edhe nuk mundem me thënë që nuk kemi pasur përkrahje sepse edhe niveli qendror është gjetur para një mundësie me ndihmuar ose mos me ndihmuar, por gjithçka që kanë pasur mundësi me na ndihmuar na kanë ndihmuar. Megjithatë, ne e kemi kaluar e konsideroj se e kemi kaluar mirë. Pavarësisht që gjithmonë kam thënë se në fushën e shëndetësisë ne nuk jemi te kënaqshëm”, ka thënë ai për EO.

Kreu i Drenasit insiston se janë e vetmja komunë në Kosovë që ofrojnë shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore.

“S’kam qenë kënaqshëm, por si Komunë nuk ka në Kosovë një komunë që jep shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore në QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran, pra në Komoran e kam bëre aktive ose e kam  ndërtuar QMF-në një vit para planifikimit, para kohe dhe kam filluar me dhënë shërbime për qytetarët 24 orë”.

Ndër të tjerash, ai tha se nuk kanë pasur mundësi financiarisht që t’u ndihmojë bizneseve të kësaj gjatë pandemisë, por ato i ka ndihmuar në forma të tjera.

“Ne i kemi liruar të gjitha bizneset nga taksat operative dhe është një ndihmë e mire që ka mundur ta bëjë Komuna”, ka thënë ai mes tjerash. /Insajderi.com